E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin javor të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri u përqendrua në përgatitjet për zgjedhjet

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin javor të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri u përqendrua në përgatitjet për zgjedhjet e 20 janarit, duke theksuar se qeveria është plotësisht e angazhuar dhe do të bëjë çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme, si prioritet absolut i saj.

Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri sërish thirrje deputetëve të opozitës të miratojnë në parlament amendamentet e propozuara prej saj dhe të bashkëpunojnë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Në fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

"Zhvillimi më i rëndësishëm për vendin është caktimi i datës së zgjedhjeve dhe procedimi për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, në të cilin qytetarët shqiptarë do të votojnë më të lirë se kurrë, si qytetarë të një vendi që ka një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në. Qytetarët shqiptarë do të faktojnë se dinë të përzgjedhin me votën e tyre të lirë kandidatët e tyre më të mirë dhe me misionin më të qartë për komunat e bashkitë e tyre.

Sërish e theksoj se prioriteti absolut i qeverisë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në këtë kontekst, ne nuk do të kursejmë asnjë burim financiar, material etj. në funksion të këtij procesi.

Opozita, e cila, prej muajsh të tërë, ka shqipëruar me mijëra herë, nëpërmjet Edvin Ramës, fjalën bojkot, e cila bëri çdo lloj përpjekjeje për të zgjatur në mënyrë jokushtetuese pushtetin e Edvinit, duket se ka vendosur të hedhë poshtë amendamentet që ajo ka propozuar vetë.

Për të qartësuar qytetarët shqiptarë, dua të theksoj se Kodi Elektoral ekzistues është i vetmi ligj konsensusal i këtij vendi. Kodi, me të cilin u zhvilluan zgjedhjet e fundit, është i vetmi kuadër ligjor konsensual. Para tij, gjatë 8 viteve, nuk ka ekzistuar asnjë ligj konsensual.

Pavarësisht se Kodi ishte konsensual, opozita paraqiti një sërë kërkesash, të cilat u pranuan nga ne në marrëveshjen e gushtit. Kjo nuk ndodhi absolutisht se këto kërkesa kishin të bënin me standardet, sepse në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale nuk ka asnjë kërkesë tjetër përveç listave, por, meqenëse opozita paraqiti një grup kërkesash, ne i pranuam ato për të rritur shkallën e besueshmërisë ndaj njëri-tjetrit, gjë e cila ka vlerë.

Por, në të vërtetë, opozita nuk kishte qëllim kërkesat. Qëllimi i tyre është të prishin zgjedhjet. Kjo është e qartë si drita e diellit. Sot, kanë vendosur të mos votojnë amendamentet që kanë propozuar dhe që i miratuam. Dhe këtë e bëjnë për të dëmtuar procesin zgjedhor, për të faktuar se Edvin Rama nuk ka interesa të tjera përveç interesave të klanit Gina, prej të cilave ai nuk mund të shpëtojë gjithë jetën.

Duhet të jemi shumë të hapur. Ky zotëri e angazhoi parlamentin, në një muaj e gjysëm, me bilbila e bori, vetëm e vetëm që të pengonte nënshkrimin e MSA-së, sepse interesat e klanit të tij nuk përputhen me interesat e integrimit të vendit. Në të kundërt, janë krejt të ndryshme. Integrimi i vendit kërkon transparencë dhe këputjen e lidhjeve të krimit. Integrimi nuk pranon të rrëmbesh kutitë me ‘vrasës serialë' e banda dhe të fitosh duke rrëmbyer gjysmën e kutive të qytetit. Integrimi i vendit kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, kërkon luajalitet ndaj ligjit.

Nga propozues të 40 amendamenteve, opozita hedh poshtë 40 amendamentet të saj. Duke faktuar në këtë mënyrë se ai nuk ka asnjë interes tjetër përveç lidhjeve të tij me krimin, nga të cilat nuk del dot. Asnjë shqiptar nuk e ka detyruar atë të trashëgojë pasuritë e klanit më të rrezikshëm të drogës, as edhe pasuritë e tjera, të cilat tani po i vetkuptojnë të gjithë, as të trashëgojë unazën e gurit të zi. Të gjitha këto i ka pranuar vetë. Tani, me papërgjegjshmëri të plotë e totale, thotë se nuk do të votojnë amendamentet e tyre në parlament dhe, për shkak të këtyre lidhjeve, nuk mund të pranojë procesin zgjedhor. Në daljen e parë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, ai deklaroi ose fitore, ose manipulim.

Këta të cilët prishën zgjedhjet e '96-ës dhe manipuluan të gjitha zgjedhjet me radhë nuk pranojnë votën e lirë. Unë dua të garantoj zgjedhësit shqiptarë, që ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë të angazhohen në zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne votuam të gjitha amendamentet e tyre, pranuam çfarë ata kërkuan. Por data e zgjedhjeve nuk është përcaktimi ynë ligjor, nuk mund t'ia marrim atributet kushtetuese Presidentit. Ne kemi dëshmuar se i respektojmë atributet kushtetuese të Presidentit. Ashtu siç respektuam vendimin e tij për don Sollakun dhe do të ndjekim rrugën tjetër, po ashtu respektojmë edhe vendimin e Presidentit për datën e zgjedhjeve. Të gjitha janë prerogativa kushtetuese, edhe kur na pëlqejnë apo jo.

Nëse ndokush në Shqipëri do të donte të mos kishte zgjedhje lokale këtë vit, ky është Kryeministri i Shqipërisë, sepse ai do të donte të merrej me reformat, të mos merrej me fushatë. Por Kushtetuta dhe ligji i përcakton Kryeministrit të Shqipërisë këtë detyrim dhe bën shumë mirë. Ky është rregulli që e rendit vendin në një vend demokratik.

Opozita merr vendimin që nuk do të paraqitet në parlament, sepse kanë frikë nga vota e deputetëve të tyre, shumica e të cilëve nuk kanë asgjë me klanin Gina, por kanë fatëkeqësinë të kenë në krye njeriun e unazës me gur të zi. Ky është urdhëri i klanit. I kanë vendosur unazën, - të cilën nuk ia kemi vendosur ne dhe nuk e ka as trashëgimi, - dhe e detyrojnë të hedhë valle. Unaza në gisht është vetëm kujtesë.

Sërish u bëjmë thirrje deputetëve të opozitës, sepse nuk është meritë që, ditën me diell, të përpiqen të dëmtojnë vendin e tyre. Respektimi i kushtetuetshmërisë është një ligj themelor i një vendi demokratik. Edhe kur të pëlqen apo jo, është një nga parimet themelore të funksionimit të shtetit demokratik. Siç janë zgjedhjet e lira, ashtu është edhe respektimi i kushtetuetshmërisë në çdo rrethanë. Por, zotërinë e tij, nuk e lejojnë këto lidhje, sepse e di që nuk do të këtë më "vrasës serialë" rreth e rrotull për t'ia nxjerrë komisionerëve, për të rrëmbyer në mes të natës kutitë e votimit dhe të terrorrizojnë qytetarët. Ai e di që lista e 2005-s nuk është lista e 2003-it, në të cilën kishte përjashtuar mbi 38 mijë zgjedhës në Tiranë, por është hartuar nga zyrtarë socialistë, që megjithë të metat e saj, është shumë herë më e mirë se ajo e 2003-it. Është një listë e çertifikuar nga faktori ndërkombëtar si listë e pranueshme dhe që u ripërtëri, siç deshi opozita, duke mbartur me zyrtarët e tyre vendorë regjistrin e përkohshëm.

Edhe një herë, e ftoj opozitën të shkëputet nga këto qendrime, sepse trashëgimia e tyre ndaj zgjedhjeve është trashëgimia më e zezë që mund të ketë patur. Shqiptarët e kanë të freskët bojkotin që ata bënë dy orë para mbylljes së kutive të votimit, ata kanë të freskët shprehjet, e përsëritura me mijëra e mijëra herë, që do të bojkotojnë zgjedhjet lokale e nuk do të marrin pjesë. Unë them se do të bënin një gabim shumë të rëndë, sepse lidhjet e krimit nuk do të mund ta mbajnë peng Shqipërinë. Dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se lidhjet tmerrshme të krimit, të drogës dhe abuzivitetit nuk do të mund ta mbajnë peng vendin. Natyrisht, përpjekja për ta ndëshkuar procesin është evidente, siç ishin evidente boritë në sallën e parlamentit apo akte të tjera. Unë sërish i ftoj ata, të cilët kanë interesa demokratike, të bashkohen dhe të vazhdojnë këtë proces për zgjedhje të lira e të ndershme."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›