Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në këtë mbledhje u miratuan një numër vendime e projektligje të rëndësishme. Kës

Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në këtë mbledhje u miratuan një numër vendime e projektligje të rëndësishme.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjës së tensionit të lartë 400 kV, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi".
Linja e tensionit të lartë 400 kV Elbasan-Podgoricë,përfshirë edhe nënstacionin elektrik 400/220 kV te Tiranës, është identifikuar si projekt i shkallës së lartë të prioritetit për zhvillimin e infrastrukturës energjitike, si në nivel lokal ashtu dhe në atë rajonal.
Ky projekt i jep sistemit tonë energjitik akses të plotë në sistemet elektroenergjitike rajonale dhe europiane dhe së bashku me Qendrën e Re Dispecer heq të gjitha pengesat për zhvillimin dhe integrimin e tij.
Kjo linjë përmirëson nivelin aktual të interkonjeksionit elektrik të Shqipërisë me Malin e Zi dhe shfrytëzon me efektivitet të plotë interkonjeksionin elektrik ekzistues 400 kV me Greqinë, duke i dhënë rrjetit tonë të trasmetimit hapësira për tranzitimin e energjisë elektrike.
Në kombinim me projekte të tjera në vendet përreth, kjo linjë bën të mundur krijimin e lidhjes elektrike të zonës së bregdetit Adriatik me UCTE (Bashkimi Europian për Koordinimin e Trasmetimit të Energjisë Elektrike). Ajo forcon rrjetin rajonal të energjisë elektrike në drejtim të kontrollit të tensionit dhe të sigurisë së sistemeve në Shqipëri, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë.
Në kuadër të bashkëpunimit financiar me qeverinë gjermane është financuar me fonde falas projekti "Studimi i fisibilitetit të LTL 400 kV Elbasan-Podgoricë", i cili është realizuar nga kompania gjermane Fichtner.
Në kuadër të protokollit të bashkëpunimit ekonomik e financiar të vitit 2002, qeveria italiane nëpërmjet Kooperacionit Italian është angazhuar në financimin e LTL 400 kV Elbasan-Tiranë, përfshirë edhe nënstacionin elektrik 400/200 kV të Tiranës, me vlerë 30 milion euro.
Pala gjermane nëpërmjet KfW, BERZH dhe BEI kanë paraqitur interes për financimin e projektit në pjesën Tiranë-kufi Podgoricë. Në këto kushte krijohet mundësia e financimit të plotë të këtij projekti shumë të rëndësishëm dhe jetik për lidhjen e sistemit tonë elektrik me rajonin dhe integrimin tonë në tregun e ardhshëm të energjisë në vendet e Europës Juglinfore.
***
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Malit të Zi, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave".
Marrëveshja ka si qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme, lehtësuese reciproke për operatorët e transporteve në të dy vendet, me qëllim lëvizjen e tyre në pikat kufitare pa pengesa. Kushtet dhe rregullat që përmban ajo do të lehtësojnë më tej shkëmbimin e mallrave dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve.
Për shërbimet në transportin e udhëtarëve është parashikuar shumëllojshmëri shërbimesh, nga ai i transportit të udhëtarëve në linja të rregullta e deri te shërbimet e rastit të transportit të udhëtarëve.
Në shërbimet e rastit janë marrë në konsideratë mundësi sa më të mëdha për lëvizjen e grupeve turistike, sportive, ansambleve kulturore etj. Një Komitet i Përbashkët do të ndjekë zbatimin me korrektësi të marrëveshjes.
***
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, vendosi dhënien e një ndihme financiare prej 1 500 000 ( një milion e pesëqind mijë) lekësh (të reja) familjes së z. Allaman Nuh Dervishi, ish-polic në Komisariatin e Policisë Rrugore, Tiranë, i cili u vra në krye të detyrës.
Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
***
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për sigurinë në anije dhe porte".
Qëllimi i këtij pojektligji është garantimi i sigurisë në anije dhe porte, si dhe parandalimi i akteve terroriste, në përmbushje të detyrimeve të vendosura nga aktet juridike, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Objekti i tij është ngritja e një force sigurie në port, përckatimi i strukturës së organizimit dhe rregullat, sipas të cilave do të veprojë kjo forcë, në bashkëpunim me organet shtetërore dhe ato të përfaqësimit në porte.
Projektligji krijon bazën ligjore të nevojshme për të filluar veprimet konkrete për zbatimin e "Kodit të Sigurisë të Fasiliteteve Portuale dhe Anijeve".
Në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës së transportit në tërësi, mbetet prioritet përsosja e sistemit ligjor, në mënyrë që të mbështeten me të njëjtin kualitet bashkëkohor sektorët në zhvillimin e transportit.
***
U miratua vendimi "Për një shtesë në vendimin nr.650, datë 12.12.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për likujdimin e pagave dhe të detyrimeve të prapambetura të ish-ndërmarrjes së prodhimit të çimentos, në Fushë-Krujë".
Në bazë të këtij vendimi, 16 punonjës të ish- ndërmarrjes së prodhimit të çimentos në Fushë-Krujë do t'u likujdohen pagat dhe detyrimet e prapambetura. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2002 këta 16 punonjës të sektorit të transportit nuk ishin përfshirë në listën e pagave të punonjësve të tjerë për shumën 631858 lekë (paga dhe dhe sigurime shoqërore).
Fondi për likujdimin e këtyre punonjësve do të përballohet nga Ministria e Rregullim Territorit dhe Turizmit.
***
U miratua vendimi "Për kriteret e dhënies dhe kohëzgjatjen e pushimeve në raste të veçanta, për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë të drejtën e pushimeve të paguara dhe të papaguara në raste të veçanta. Vendimi parashikon mënyrën e dhënies së lejes në raste të veçantë dhe kohëzgjatjen e tyre, duke e përafruar atë me pushimet në raste të veçantë me nëpunësit civilë në institucionet shtetërore.
Vendimi synon një mbrojtje më të mirë shoqërore të ushtarakëve, pasi u jep atyre mundësinë që, përveç detyrimeve të punës, të përkujdesen për veten dhe pjestarët e familjes, të përgatisin dhe mbrojnë tituj pasuniversitarë për punën që kryejnë, si dhe të kenë të drejtën e pushimit në përfundim të misioneve paqeruajtëse jashtë shtetit. Leja për pushim të paguar dhe të papaguar jepet me kërkesë të të interesuarit nga eprori i drejtpërdrejtë dhe miratim të eprorit në hierarkinë e autoritetit të institucionit/njësisë përkatëse, me qëllim që dhënia e lejeve për pushim në raste të veçanta të mos cënojë gadishmërinë luftarake dhe të mos i sjellë dëm punës.
***
Një tjetër vendim që miratoi sot Këshilli i Ministrave është edhe ai "Për disa shtesa në vendimin nr. 68. dt. 15. 2. 2001, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e standarteve dhe kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit".
Shtesat që i bëhen vendimit synojnë përafrimin e legjislacionit teknik shqiptar me atë europian si dhe heqien e barrierave në qarkullimin e lirë të mallrave, objektiva këto kryesore të qeverisë.
Shtesat që i bëhen vendimit kanë të bëjnë me zbatimin e standarteve dhe kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit, prodhime të përgatitura prej betoni, traveta të paranderura, traveta me beton të armuar- traliçe.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi rishikimin e kushtit teknik ekzistues të projketimit dhe zbatimit të ujësjellsave e kanalizimeve si një nevojë e domosdoshme e përdorimit të materialeve të reja si dhe e ndryshimeve në mënyrën e realizimit të punimeve të zbatimit të ujësjellësave e kanalizimeve.
Përdorimi i tubacioneve plastike në sistemet e furnizimit me ujë, sjell një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e transportit të ujit, si dhe lehtësinë e përdorimit të tyre.
***
u miratua vendimi: "Për një ndryshim në vendimin nr.197, dt 18.3.1996, "Për rrjetin e instituconeve shkencore shtetërore".
Ky vendim ka për qëllim krijimin e hapësirave ligjore për krijimin e Institutit të Ndërtimit si një ndërmarrje shtetërore me vetëfinancim. Krijimi i këtij Instituti të Ndërtimit do të bëhet mbi bazën e shkrirjes, bashkimit dhe ristrukturimit të Institutit të Studimeve të Teknologjisë së Ndërtimit (ISTN) dhe Institutit të Studimeve e Projektimeve Hidroteknike (ISPH). Gjithashtu ky institut do të kryejë edhe aktivitetin e zhvilluar të Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Ujësjellës Ndërtim (ISPUN), tashmë jofunksional për pamundësi finaciare të zhvillimit të aktivitetit.
Krijimi i këtij Instituti përbën edhe një mbështetje më tepër për realizimin e misionit të Ministrisë së Rreguillimit të Territorit dhe Turizmit dhe do të kontribuojë për barazimin e ritmeve në ushtrimin e veprimtarive midis sektorit publik dhe sektorit privat të ndërtimit.
***
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, miratoi vendimin për pajisje me mjedise pune të Partisë "Lëvizja e Legalitetit". Kësaj partie i jepen mjediset në katin e dytë të klinikës stomatologjike, në bulevardin "Zogu I".