Kryeministri Fatos Nano dhe homologu i tij maqedonas Hari Kostov morën pjesë sot paradite në Shkup, në Forumin Ekonomik të Biznesit, i organizuar nga Qeveria e Maqedonisë dhe nga Kryetarët e Dh
Kryeministri Fatos Nano dhe homologu i tij maqedonas Hari Kostov morën pjesë sot paradite në Shkup, në Forumin Ekonomik të Biznesit, i organizuar nga Qeveria e Maqedonisë dhe nga Kryetarët e Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Në këtë Forum, ishin të pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli dhe homologu i tij maqedonas, Kryetarët e Dhomave të Tregtisë të të dy vendeve, si dhe një numër biznesmenësh shqiptarë dhe maqedonas.
Duke falënderuar organizatorët e këtij Forumi, Kryeministri Nano e cilësoi këtë veprimtari me një rëndësi politike, ekonomike dhe shoqërore, e cila i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar si dhe bashkëpunimit reciprok në fushën e zhvillimit të biznesit dhe të nxitjes së investimeve të ndërsjellta.
Kryeministri Nano e cilësoi forumin si një shembull i konkretizimit të partneritetit të sektorit publik me atë privat, ku zhvillimi i sektorit privat është padyshim një gjenerator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të vendeve tona dhe një akselerator i procesit të integrimit në kuadrin rajonal dhe më gjerë.
Sipas Kryeministrit, Shqipëria dhe Maqedonia kanë hyrë në një faze shumë të rëndësishme të zhvillimit të tyre, duke përcaktuar prioritet integrimin ekonomik dhe social në Bashkimin Europian. "Hartimi dhe zbatimi i politikave të reformave ekonomike ka sjellë dhe do të sjellë padyshim efekte pozitive në zhvillimin e qëndrueshëm të dy vendeve tona. Në tërë këtë proçes reformimi, roli i sektorit privat konsiderohet një faktor vendimtar për integrimin në ekonominë globale", tha zoti Nano.
Më tej Kryeministri Nano u shpreh se "organizimi i këtij takimi, përkon me fazën kur zbatimi i Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë me Maqedoninë ka marrë trajtën e plotë dhe në dy vitet e fundit bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik, ndërmjet dy vendeve tona, po zhvillohet në kuadër të politikave liberalizuese që parashikon kjo Marrëveshje, si: reduktime tarifore të menjëhershme dhe graduale në produktet industriale, koncensione në produktet bujqësore, si dhe një sërë politikash në fushën e standartizimeve, shërbimeve sanitare e fitosanitare, ato veterinare, pronësinë intelektuale etj".
Pas rreth 2 vjetësh të zbatimit të Marreveshjes së Tregëtisë së Lirë midis dy vendeve, analizimi i treguesve të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve synon një orientim më të mirë për thellimin e përfitimeve nga tregtia preferenciale,- tha Kryeministri Nano duke shtuar se, volumi tregtar ndërmjet dy vendeve për vitin 2003, është rritur 6,3 % ndaj vitit 2002, eksportet shqiptare rezultojnë në një vlerë prej 3 Mln USD dhe me një rritje prej 5,2% krahasuar me vitin 2002. Gjithashtu, importet nga Maqedonia në Shqipëri për vitin 2003 rezultojnë me një vlerë prej 14,4 Mln USD me një rritje prej 6,4% krahasuar me vitin 2002.
Sipas Kryeministrit Nano, jo paqëllim në përbërjen e delegacionit shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të kompanive më të rëndësishme në Shqipëri, të cilat do të nënshkruajnë kontrata dhe që do t'i japin shtytje shkëmbimeve tregtare me interes të ndërsjelltë.
"Ambicja dhe kërkesat tona për ecurinë e kësaj marrëveshje janë shumë më të mëdha dhe me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve tona dhe besojmë se do të gjejnë mirëkuptimin dhe vlerësimin e njëjtë edhe nga pala maqedonase për rritjen e gamës së produkteve të liberalizuar reciprokisht ose edhe sipas interesave të secilës palë. Ndërkohë besoj se anëtarësimi në OBT i të dy vendeve dhe plotësimi i angazhimeve liberalizuese të secilit vend ndaj OBT-së duhet vlerësuar nga secila palë si bazë për rritjen e shkallës së liberalizimit ndërmjet dy vendeve", tha Z.Nano.
Kryeministri theksoi se Qeveria shqiptare nxit bashkëpunimin në të gjithë fushat që sigurojnë zbatimin korrekt dhe të garantuar të MTL-së, ndërmjet dy vendeve. Të gjitha politikat e Qeverisë në përmirësimin e klimës së biznesit kanë një emërues të përbashkët të quajtuar ndryshe, dialog konstruktiv dhe partneritet i qëndrueshëm Qeveri-Biznes. Nevoja për bashkëpunim ka ardhur në rritje mbështetur edhe nga faktorë të tjerë të zhvillimit ekonomik dhe social, duke çuar në institucionalizimin e partneritetit me biznesin nëpërmjet krijimit të strukturave afatgjata dhe të qëndrueshme, tha Z.Nano, i cili shtoi se biznesi po merr një rol gjithnjë e më të madh, në proçeset e zhvillimit të vendit ku Qeveria e konsideron komunitetin e biznesit një partner serioz dhe dominant gjatë proçesit hartues të politikave të këtij zhvillimi.
Në mënyrë të veçantë Kryeministri u ndal në optikën e Integrimit në BE, dhe integrimin rajonal, duke u shprehur se Qeveria Shqiptare është e angazhuar në një bashkëpunim dhe hapje të plotë ekonomike me vendet e tjera të rajonit, duke e shoqëruar me një program të gjerë reformash në drejtim të: forcimit të institucioneve të tregut, përmirësimit të klimës së biznesit, rritjes së transparencës dhe zhvillimit të konkurencës së lirë në treg që përbëjnë bazat e zhvillimit të një ekonomie tregu të lirë.
Ndërsa Kryeministri maqedon Harri Kostov u shpreh se Qeveria e Maqedonisë do të organizojë të gjithë mekanizmat e duhur për të zhvilluar dhe nxitur bizneset dhe shkëmbimin e mallrave midis dy vendeve. "Tashmë kemi një legjislacion që e ndihmon këtë proces. Kemi ende mundësi të reja për shkëmbime tregtare. Dy qeveritë tona do të punojnë për të shfrytëzuar maksimalisht të gjitha këto mundësi dhe hapësira dhe vërejmë me kënaqësi që ka mundësi për ekonominë dhe biznesin shqiptar në tregun maqedonas", tha Kryeministri Kostov.
Ne, së shpejti, do të nënshkruajmë marrëveshje të reja për transportin ajror, për hapjen e pikave të reja të kalimit kufitar si dhe do të punojmë në lidhje me kërkesën që paraqiti Kryeministri shqiptar Fatos Nano për liberalizimin e regjimit të vizave shtoi Z.Kostov.
Në këtë forum morën pjesë 25 kompani nga Shqipëria. Gjatë punimeve të tij, tre kompani shqiptare lidhën kontrata tregtare me tre kompani maqedonase respektivisht në vlerat 20 milion dollarë, 1.2 milion euro dhe 1.1 milion euro.