Ide/Koha për platformën e bashkimit kombëtar

Nënkryetari i PLL, Sulejman Gjana ka vlerësuar dje heroizmin e UçK-së në çlirimin e Kosovës dhe u ka bërë thirrje faktorëve shqiptarë në rajon që të angazhohen në hartimin e një platforme për bashkimin kombëtar
Me rastin e 12 vjetorit të fillimit të luftës për çlirimin e Kosovës, Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh mirënjohje dhe nderim për luftëtarët e UçK-së dhe dëshmorët e saj të cilët me sakrificat dhe gjakun e tyre bënë të mundur që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe demokratik. Nënkryetari i PLL-së, Sulejman Gjana, deklaroi se në rrethanat aktuale kur faktori shqiptar mund të luajë një rol thelbësor për stabilitet në rajon dhe Evropë, PLL mendon se ka ardhur koha që përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të mendojnë dhe ofrojnë një platformë të përbashkët për të realizuar bashkimin kombëtar të popullit shqiptar. “Kjo mbetet pa dyshim një nga aspiratat kryesore të çdo shqiptari dhe një zgjidhje serioze dhe afatgjatë për çështjen shqiptare dhe stabilitetin në rajon. Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh se Shqipëria, me cilësinë e vendit amë, i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet për të luajtur një rol të veçantë dhe promotor për realizimin e këtij bashkimi, i cili nuk është gjë tjetër veçse korrigjimi i një padrejtësie historike dhe materializim i aspiratës së çdo shqiptari për bashkim kombëtar. Për partinë Lëvizja e Legalitetit e cila gjatë gjithë ekzistencës së saj ka aspiruar dhe luftuar për bashkimin kombëtar, ky bashkim nuk është tabu, por një domosdoshmëri që ka ardhur në rendin e ditës”, u shpreh ai. Në deklaratën për 12 vjetorin e fillimit të luftës së UçK-së, për çlirimin e Kosovës, sipas nënkryetarit të PLL-së, shqiptarët kanë nevojë që para çdo integrimi më të gjerë, të integrohen dhe bashkohen së pari ndërmjet tyre pasi, si një trup i vetëm, do të mund të marrin më mirë angazhime të tjera në dobi të vet, por edhe të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
...