E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja përcakton objektivat për zgjedhjet e ardhshme vendore

Zv/kryeministri Ilir Meta ofron bashkëpunim në përmirësimin e Kodit Zgjedhor


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje takime me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Lezhës. Kryetari i LSI-së, Meta, gjatë fjalës së tij është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie. Kryetari i LSI-së i ka kushtuar një rëndësi të veçantë procesit të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai ka theksuar se zgjedhjet e ardhshme tashmë po trokasin dhe Lëvizja Socialist për Integrim duhet të përcaktojë dhe objektivat e saj për një fitore sa më të madhe në garën elektorale. Në këtë linjë, z. Meta theksoi se LSI-ja do të përpiqet që të marrë një rezultat sa më të madh në shkallë vendi. Në lidhje me objektivat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e ardhshme vendore, Meta u shpreh “disa nga objektivat tona paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore, që tashmë po trokasin, kanë të bëjnë me të paktën fitoren e 100 kryetarëve të komunave në të gjithë vendin, të 20 kryetarëve të bashkive, të tre kryetarëve të qarqeve dhe të paktën të 1500 këshilltarëve në të gjitha nivelet, komuna, bashki dhe qarqe. Kuptohet që numri më i madh i tyre të ishin kryetare dhe këshilltare, por kjo do të varet nga angazhimi i femrave dhe grave gjatë kësaj periudhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim”. Gjithashtu, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrimi z. Ilir Meta i shoqëruar nga nënkryetari Dritan Prifti zhvilloi takime me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Lushnjes. Gjatë zhvillimit të këtyre takimeve anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së kanë vlerësuar pjesëmarrjen dhe angazhimin e LSI-së në Qeverinë e Integrimit. Në fjalën e tij kryetari i LSI-së, z. Meta, është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie. Z. Meta u shpreh se koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reforma. Më tej z. Meta ka garantuar anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së se kjo forcë politike do të qëndroj larg tensioneve false. Veprimi politik i LSI-së, deklaroi z. Meta, do të ketë si orientim vetëm integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, Meta u ndal gjerësisht në procesin e strukturimit të LSI-së. Në këtë kontekst, duke theksuar se LSI-ja është forcë kryesore politike në Lushnjë, Meta deklaroj se LSI po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Duke theksuar domosdoshmërinë e përmirësimin e Kodit Zgjedhor, kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh se “LSI ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës”. Ai u shpreh se ky përmirësim duhet të bazohet mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR në raportin e saj për zgjedhjet e fundit parlamentare në vend. Duke konsideruar vitin 2010 si vitin më të rëndësishëm përsa i përket konkretizimit të reformave dhe proceseve integruese të vendit, Meta, ftoi opozitën që të kryej rolin e saj, jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në realizimin e aspiratave të qytetareve shqiptarë dhe vet votuesve të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›