E Diel, 1 Nëntor 2026

“Eksodi i serbëve dhe i maqedonasve nuk ka pse të penalizojë shqiptarët”

Liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, e garantoi pak ditë më parë edhe eurodeputetja Tanja Fajon


Azil kërkuesit të shumtë në numër nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, Serbi dhe Maqedoni, u përfol në disa qarqe në vend dhe më gjerë se do të penalizojë aspiratën e shqiptarëve, për të lëvizur në lirë në hapësirën “Schengen”. Reagimet e fundit të ndërkombëtarëve madje edhe apelet e vazhdueshme drejtuar Brukselit, tregojnë qartë se kancelaritë perëndimore nuk janë të interesuara të bëjnë ‘pis’ ndërgjegjen e tyre, nisur nga premtimi i 20 nëntorit 2009 i rezolutës së miratuar në Parlamentin Evropian. Mos cenimin e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga eksodi i azilantëve të Serbisë dhe Maqedonisë, e theksoi dy ditë më parë eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, një nga mbështetëset dhe lobueset më të zjarrta të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në një deklaratë zyrtare, Fajon, ka shprehur se qeveritë e Serbisë dhe Maqedonisë duhet të sqarojnë qytetarët e tyre në lidhje me atë që quhet liberalizmin vizash dhe se kjo nuk duhet të shërbejë si një precedent apo “mësim” institucionet e BE-së, nisur nga heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. “Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’i dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave. Politikanët duhet të ndalojnë menjëherë fluksin e emigrantëve të rinj që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”, ka deklaruar Fajon. Nga dhjetori i kaluar banorëve të këtyre vendeve iu hoqën vizat për vendet e zonës “Shengen”. Sipas Fajon, ajo çfarë ka ndodhur me strehimkërkuesit nga Maqedonia e Serbia “në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›