Sot nis regjistrimi i fermave në të gjithë vendin

Sot nis regjistrimi i njësive ekonomike-bujqësore në të gjithë vendin. Pritet që ky proces të mbledh të dhëna të detajuara në lidhje me të gjitha prodhimet apo produktet e fermave. Në këtë kuadër, regjistrimi i përgjithshëm i njësive ekonomike bujqësore ndihmon në konsolidimin dhe forcimin e tyre dhe në të njëtën kohë, i krijon qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera mundësi për hartimin e politikave sa më efikase të zhvillimit, në nivel kombëtar dhe lokal.
Institucionet qëndrore, veçanërisht INSTAT, kanë mobilizuar burime njerëzore, administrative e logjistike. Vetëm gjatë këtij procesi do të punësohen në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë rreth 3500 anketues, 750 kontrollorë dhe 69 mbikëqyrës. Kriteret për përzgjedhjen e të punësuarve janë të shumta, por ajo që është kryesorja është fakti se ata duhet të jenë banorë të komunës ku do të punojnë, për të patur njohjen e duhur të ambientit.
Ndërkaq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi që duhet të ekzistojë midis njerëzve që do të punojnë në terren për regjistrim dhe drejtuesve të njësive vendore. Sipas INSTAT një regjistrim i tillë i detajuar i njësive ekonomike-bujqësore realizohet për herë të parë në vendin tonë. Procesi pritet të zgjasë rreth katër javë, ndërsa rezultatet e para priten të nxirren gjatë vitit tjetër.