Sot paradite, Kryeministri Berisha priti drejtues të lartë të kompanisë norvegjeze Statkraft, e specializuar në fushën e energjisë hidrike, impianteve të gazit dhe të erës dhe interkonjeksio
Sot paradite, Kryeministri Berisha priti drejtues të lartë të kompanisë norvegjeze Statkraft, e specializuar në fushën e energjisë hidrike, impianteve të gazit dhe të erës dhe interkonjeksionet.
Takimi u përqendrua në mundësitë e investimeve në fushën energjetike në Shqipëri në kuadrin e politikës së zgjerimit të biznesit të kësaj kompanie në Ballkan. Drejtuesit e kompanisë vlerësuan se e gjejnë të ngjashme hidrologjinë dhe topologjinë e Shqipërisë me atë të vendit të tyre, ndërsa klima e biznesit dh progresi i Shqipërisë i ka bërë ata ta konsiderojnë Shqipërinë me prioritet për investimet e tyre në Ballkan. Ata shprehën interes edhe për privatizimin e sektorit të shpërndarjes së KESH-it.
Duke shprehur kënaqësinë për interesimin e kompanisë së njohur norvegjeze për të investuar në Shqipëri, Kryeministri theksoi se është koha që të konsiderohen investimet në Shqipëri. Qeveria shqiptare me reformat e ndërmarra, theksoi Kryeministri, ka krijuar një klimë të favorshme mbështetëse për investimet, ku prioritet mbetet sektori energjetik. Në këtë drejtim, Kryeministri shprehu mbështetjen e qeverisë në lidhje me investimet e këtij lloji në Shqipëri, veçanërisht të investimeve norvegjeze. "Shqipëria, - u shpreh Kryeministri, - është një vend shumë i pasur në ujëra, por që vetëm 1/3 e kapacitetit hidrik të vendit shfrytëzohet. Interesi i investitorëve të huaj në fushën e energjisë ka qenë shumë i madh dhe janë paraqitur një sërë projektesh për shfrytëzimin e energjisë ujore, të gazit të lëngët dhe erës. Në këtë kuadër, kompania Statkraft është e ftuar të konsiderojë investimet e saj në të gjitha këto fusha."
Kompania Statkraft operon në 154 HEC-e në Norvegji, Holandë, Suedi, Gjermani dhe vende të tjera. Statkraft është kompania e dytë në botë për prodhimin e energjisë së rinovueshme.