E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë Zv.Kryeministrin maqedon Musa Xhaferri. Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëdhënie

Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë Zv.Kryeministrin maqedon Musa Xhaferri.

Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, intensifikimin e dialogut politik dhe të kontakteve dypalëshe të cilat
i shërbejnë objektivave të përbashkëta për integrim dhe luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e emancipimit politik të rajonit tonë dhe zhvillimit të stabilitetit afatgjatë.

"Ky raport që po zhvillojnë qeveritë e të dy vendeve tona, ky angazhim i përbashkët dhe roli konstruktiv që po luajmë në rajon për bashkëjetesë dhe integrim në BE dhe NATO ka për rrjedhojë edhe forcimin e sigurisë dhe të transparencës për kufijte dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve, por edhe në një plan më të gjerë të ballkanasve", u shpreh Kryeministri Nano duke shtuar se "ky takim mes nesh realizohet në një fazë të rëndësishme të raporteve bilaterale dhe të angazhimeve të përbashkëta në rajon dhe me partnerët euroatlantikë, si dhe në një fazë të rëndësishme të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit".

Kryeministri Nano konfirmoi se Qeveria Shqiptare inkurajon veprimet e ndërrmarra në përballimin e sfidave përfshirë zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit në afatet e parapara dhe avancimin e reformave për zhvillimin dhe forcimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni.

Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh z. Nano prezantoi angazhimin e Qeverisë Shqiptare që brenda këtij muaji të përfundojë procesi i hapjes së pikave kufitare në Steblevë e Xhepisht-Trebisht që do t'i shërbejë afrimit dhe njohjes më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve tona, por do të luajë një rol mjaft të rëndësishëm sidomos në këtë fazë të zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Më pas Kryeministri Nano ka përshëndetur fillimin e seancave parlamentare në gjuhën shqipe në kanalin e tretë të TV shtetëror maqedon.

Lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal ballkanik Kryeministri Nano tha se marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë një nga akset themelore prioritare dhe të qëndrueshëm të politikës sonë të jashtme. "Me aktivitetin, qëndrimet dhe politikën e saj Shqipëria është bërë jo vetëm nxitëse por edhe prodhuese e stabilitetit rajonal".

Kryeministri Shqiptar konsideroi si mjaft të rëndësishme nismat që janë ndërrmarrë në fusha të ndryshme të bashkëpunimit duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes strukturave të policisë së të dy vendeve në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Nga ana e tij Zv. Kryeministri Maqedon Musa Xhaferri vlerësoi mbështetjen e deritanishme të Qeverisë Shqiptare dhe rolin e saj konstruktiv si një faktor stabiliteti në rajon.
"Në qeverisjen tonë ekziston mendimi se rreth nesh kemi miq dhe jo armiq. Politika e kaluar vërtetoi se ishte e dështuar", tha në këtë takim zv.Kryeministri maqedon Musa Xhaferri. Më tej z. Xhaferri konfirmoi se "Qeveria Maqedonase mirëpret mbështetjen e shtetit shqiptar edhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila dëshmoi se është e vetmja zgjidhje për ndërtimin e shtetit të ri maqedonas në të mirë të të gjithëve".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›