E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Fatos Nano në fillim të mbledhjes së

Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Fatos Nano në fillim të mbledhjes së KRRTRSH u shpreh:

"Në mbledhjen e sotme të KRRTRSH do të diskutojmë rreth studimeve urbanistike në zona turistike. Me vendimmarrjen e sotme ne po krijojmë mjedisin ligjor të zhvillimit të zonave turistike prioritare dhe qendrave të qyteteve, duke bërë një hap vendimtar suplementar dhe për t'i dhënë fund kaosit urbanistik edhe në këto zona. Sot, me këto vendime po krijojmë mundësi zhvillimi të qëndrueshëm të sipërmarrjes në sektorin e turizmit të integruar, duke e sjellë atë në standartet e kohës. Këtij objektivi i shërben shqyrtimi i studimeve për zonat Golem – Kavajë, Karpen, Lukovë-Kakome dhe Ksamilit, që do të trajtohen në mbledhjen e sotme.

Ne jemi të vetëdijshëm se për pushuesin nuk mjafton thjesht një shtrat apo një restorant në një vend me diell, det dhe rërë, por duhen qendra zhvillimi turistik, në konceptin europian të fjalës, shërbime moderne dhe lehtësisht të arritshme nga të gjithë. Po kështu kemi qenë të vetëdijshëm se abuzivizmi në bregdet nuk frenohet vetëm me policinë ndërtimore dhe me Urdhëra Administrativë korrigjuese, prandaj po japim edhe sot shembullin e veprimit për të nxitur një proces zhvillimor të hapësirave, që po zbrazen nga ndërtimet e paligjshme dhe, të disiplinimit për zhvillim të hapësirave, që kanë shpëtuar nga kthetrat e veprimtarisë antiligjore .

Këto studime urbanistike vijnë si pjesë e programit të Qeverisë për zhvillimin e turizmit dhe i paraprijnë aksionit të saj për integrimin e pronarëve dhe ish-pronarëve, në zgjidhje të qëndrueshme dhe afat – gjata edhe në zona turistike. Nga ana tjetër këto zgjidhje të ofruara nuk pranojnë konceptin e gardhimit turistik, përkundrazi jemi të interesuar të disiplinojmë përfundimisht të gjitha inisiativat sipërmarrëse dhe vendimmarrëse në këtë sektor të rëndësishëm, si motor rritjeje të qëndrueshme për ekonominë dhe mirëqënien e familjeve shqiptare.

Me këto akte ne po vazhdojmë të demonstrojmë konkretisht vendosmërinë tonë, jo vetëm për prishjen e çibanëve urbanë derivate të politikave të papërgjegjshme në të gjitha nivelet e vendimmarrjes gjatë 10 vjetëve, por edhe po percaktojmë shtratin ligjor, ku në mënyrë të qëndrueshme do të zhvillohet sipërmarrja turistike në vendin tonë.

Ne synojmë korrektimin e ofertës turistike për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, duke e bërë atë kompetitive me vendet dhe zonat përreth Shqipërisë.

Me këto instrumenta ligjorë që po shqyrtojmë sot, po i çelim rrugën menaxhimit korrekt, sipas standarteve bashkëkohore të resurseve natyrore, duke i vënë ato në shërbim të sipërmarrjes, duke i vënë ato në parametrat e një tregu funksional turistik, në shërbim të turistëve shqiptarë dhe të huaj.

Kjo vendimmarrje e sotme synon pra mbi të gjitha të rrisë sigurinë e investimeve të brendshme dhe të huaja në turizëm. Vetëm kështu do të arrijmë të shfrytëzojmë gjithnjë e më mirë dhuratën që na ka bërë natyra, që nga bregdeti, qytetet turistike dhe zonat malore, që vendi yne i ka me bollëk. Miratimi i këtyre studimeve e afron Shqipërinë pranë interesit të investitorëve të mëdhenj dhe me eksperiencë në fushën e turizmit. Vetëm kështu turizmi do të fillojë të kontribuojë realisht në rritjen e mirëqënies së qytetarëve, punësimit të tyre, dhe krijimit të një profili ekonomik të qartë të vendit.
Ky proces vendimmarrje duhet të nxisë përfundimisht edhe Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministritë e tjera të linjës të formulojnë paketat e aksioneve edukuese, nxitëse dhe lehtësuese për të thithur investime dhe turistë. Në mënyrë të veçantë kjo paketë e sotme do të disiplinojë përfundimisht vendimmarrjen e pushtetit vendor në këto zona, duke eliminuar përfundimisht kaosin urban dhe abuzimet e deformimet e ligjit.

Jemi në kohën e duhur. Fillojmë nga puna!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›