E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për dhënie pensioni të posaçëm shtetëror zotit Zamir Dule". Z. Zamir Dule lindi në Miras të Korçës, më 25.10.1969.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për dhënie pensioni të posaçëm shtetëror zotit Zamir Dule".

Z. Zamir Dule lindi në Miras të Korçës, më 25.10.1969.

Arsimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm e përfundoi në fshatin e lindjes. Z.Dule ka mbaruar arsimin e lartë dhe është diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi.

Z.Zamir Dule është një nga përfaqësuesit më të shquar të gazetarisë investiguese, që në fillimet e shtypit të lirë në Shqipëri. Profesionin e gazetarit e filloi në vitin 1993, si korrespondent i Korçës, për gazetën "Koha Jonë". Gjatë kësaj periudhe, Zamiri u shqua si gazetar investigues i veprimtarisë kriminale. Në vitet 1995-1996, me shkrimet e tij të guximshme ai i dha jetë ciklit gjashtëmujor të investigimit dhe denoncimit të veprimtarisë së bandave dhe grupeve kriminale në rrethin e Korçës. Puna e tij si gazetar i kronikave të krimit e përballi me dhunën e vazhdueshme, verbale e fizike, ushtruar nga qarqet e krimit, por ai manifestoi vendosmëri dhe kurajo civile.

Në ushtrimin e profesionit në Tiranë, si gazetar i gazetës "Koha Jonë" Zamir Dule u shqua për ndikimin e madh dhe pozitiv që pati te gazetarët e tjerë, në kronikat e investigimit dhe të denoncimit të krimit. Veprimtaria e tij në këtë fushë e evidentoi si gazetar me emër dhe, si rrjedhojë, u caktua në detyra të rëndësishme në redaksi, si shef i kronikës së zezë dhe si zëvendëskryeredaktor i gazetës "Koha Jonë" .

Zoti Dule, për arritjet në gazetarinë investiguese, është nderuar me çmime të ndryshme nga Fondacioni SOROS.

Në shkurt të vitit 1997, ditën e djegies së godinës së gazetës "Koha Jonë", z.Dule ndodhej në zyrat e redaksisë, ku u keqtrajtua dhe u mbyll brenda nga dhunuesit dhe zjarrvënësit e gazetës. Fatmirësisht, z.Dule shpëtoi gjallë, por i demtuar rëndë, fizikisht dhe mendërisht. Nga ajo ditë, ai jeton në fshatin e lindjes, në kushte ekonomike tejet të vështira.

Gazetari Zamir Dule është shembull i gjallë i shtypit të lirë dhe, njëkohësisht, fakti më domethënës i sakrificave dhe i privimit të profesionit të gazetarit.

Për vlerat dhe rezultatet e dallueshme në gazetari, Qeveria vendosi që z.Zamir Dule t'i jepet pension i posaçëm shtetëror.

Ky vendim bazohet në nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", ndryshuar me ligjin nr.8286, datë 16.2.1998.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›