Sot përfundon afati për dorëzimin e pasqyrave financiare pranë QKB-së

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bizneset kanë kohë vetëm deri në fund të ditës së sotme, 31 korrik, për të dorëzuar pasqyrat financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), në përmbushje të detyrimeve ligjore.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u bëri thirrje subjekteve që nuk e kanë përfunduar ende aplikimin të mos e shtyjnë më këtë proces.
Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj theksoi se dorëzimi i pasqyrave financiare brenda afatit është i rëndësishëm për respektimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi dhe për shmangien e penaliteteve.
“Sot, 31 korrik, është afati i fundit për dorëzimin e pasqyrave financiare pranë QKB-së. Nëse ende nuk e keni përfunduar aplikimin, mos e shtyni më”, u shpreh ministrja.
Ajo i ftoi bizneset që ta përfundojnë aplikimin brenda ditës së sotme, duke mos e lënë procedurën për momentin e fundit.
/e.xh/r.e/a.f/