E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pritje madhështore për Majlinda Kelmendin

 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon sot pritje shtetërore për xhudistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka. Kelmendi fitoi medaljen e artë, si xhudiste e Republikës së Kosovës, në Kampionatin Botëror të Xhudos që u mbajt në Rio de Janeiro të Brazilit. Gjakova ndërkaq u rëndit në pozitën e shtatë.

Kjo është medalja e artë e para për shtetin e Kosovës në një kampionat zyrtar botëror dhe renditja e Gjakovës në pozitën e shtatë ka bërë që suksesi i Kosovës në këtë kampionat vetëm më dy garuese të jetë i madh.

Pritja do të fillojë që nga Aeroporti i Prishtinës, me mbërritjen e ekipit të Kosovës, i paraparë në orën 18:15. Në orën 18:30 Ministri Krasniqi bashkë me ekipin fitues do të mbajnë një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në ANP.

Pas konferencës, ekipi fitues, në mënyrë të organizuar do të niset nga ANP për në sheshin ”Nëna Terezë” në Prishtinë, ku Majlinda Kelmendi dhe të tjerët do t'u drejtohen qytetarëve. Mbërritja në shesh pritet të bëhet rreth orës 19:00. Ndërsa, pas Prishtinës, ekipi do të vazhdoj për në qytetin e Pejës, ku edhe atje do të organizohet një pritje publike.

MKRS vlerëson se suksesi i xhudistëve tanë në kampionatin Botëror të Xhudos në Rio është një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën. MKRS fton qytetarët të jenë prezentë sonte nga ora 18:00 në sheshin ‘Nëna Terezë’ (afër Hotel Swiss Diamond) ku edhe do ta nderojmë ekipin që ngriti flamurin e Kosovës në Brazil./Indeksonline/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›