E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot protestohet kundër privatizimit të PTK-së

Sot duke filluar nga ora 12:00 nga ndërtesa e PTK-së deri tek ministri e Zhvillimit Ekonomik, do të zhvillohet protestë kundër privatizimit të PTK-së. Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ftojnë të gjithë ata që mendojnë se procesi i privatizimit duhet të ndërpritet, t’i bashkohet kësaj proteste.

Ata paralajmërojnë ministrin Besim Beqaj, por edhe gjithë Qeverinë se nëse vazhdojnë t’i injorojnë nuk do të ndalen me protesta. Thonë se derisa nuk nënshkruhet kontrata kolektive nuk do të pushojnë së protestuari.

Kryetari i Federatës së PTK-së, Milazim Alshiqi thotë se janë të pabindur që financiarisht është i arsyeshëm privatizimi.

“Fakti se këtë proces e udhëheqin ata të cilët e kanë nënshkruar kontratën skandaloze për shitje të distribucionit të KEK-ut, na bënë edhe më skeptik se shitja e PTK-së do të është e dobishme për punëtorët e PTK-së dhe shtetin tonë. Procesi i privatizimit të PTK-së është i kundërligjshëm sepse nuk ka bazë ligjore. Nuk ka vendim të plotfuqishëm të Kuvendit për miratimin e procesit të privatizimit. Ky proces duhet të ndërpritet sepse shumica e privatizimeve në Kosovë deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme, kanë ndikuar në rritjen e numrit të papunëve dhe rritjen e varfërisë në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton RTK.

Ai thekson se procesi i privatizimit të PTK-së duhet të ndërpritet deri sa të kryhet disa qindra procese gjyqësore, të cilat drejtpërdrejt e dëmtojnë këtë proces, sikur që janë procesi penal kundër kryetarit aktual të bordit të drejtorëve të PTK-së Rexhë Gjonbalaj dhe ish kryeshefit të PTK-së Shyqyri Haxha, si dhe qindra procese gjyqësore ku pala e paditur është PTK-ja. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›