E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot skadon reforma parlamentare

Jemin Gjana, Namik Dokle

Pas dy muajsh punë, grupi i punës nuk ka marrë vendim për çështjet e rëndësishme të Rregullores.

Ende pa konsensus votimi i dekreteve dhe replika e opozitës në Kuvend.

Sot përfundon afati kohor i grupit të punës mes dy partive të mëdha për reformën parlamentare. Data 15 prill shënon dhe ditën e fundit të punës së grupit të punës, por pa arritur në një produkt të pranuar nga palët. Dy nga çështjet kryesore që e le pezull këtë reformë, janë mënyra se si do të votohen dekretet e Presidentit të Republikës në Kuvend dhe mundësia që kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës ti përgjigjet Kryeministrit sa herë që kreu i qeverisë merr fjalën. Këto dy pika, ende pa zgjidhje, e çojnë këtë reformë në dështim, brenda afatit të përcaktuar nga Parlamenti, ndërsa në fillim të javës së ardhshme grupi i punës ka vendosur të mblidhet. Duket se opozitës për propozimet që ka bërë për mënyrën se si duhet të votohen dekretet dhe kohës për të replikuar me Kryeministrin, i vjen në ndihmë edhe eksperti britanik. Ai propozon votim të fshehtë për dekretet e Presidentit për anëtar në Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë dhe shumicë të cilësuar. Opozita kërkon që ti rikthehet Rregullores së para vitit 2006 për votimin e dekreteve të kreut të shtetit, të cilat bëheshin të fshehta, ndërkohë që për maxhorancën votimi duhet të jetë i hapur dhe nominal. Opozita ka hequr dorë nga kërkesa që në rastin kur një ministër nuk i përgjigjet deputetit për interpelancë, çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, por edhe nga kërkesa për të shfuqizuar pikën 5 të nenit 64 të Rregullores, që flet për masat disiplinore ndaj deputetëve kur ata zaptojnë foltoren e Kuvendit. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, nënkryetarët e Parlamentit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare nuk do të jenë më të ftuar në Konferencën e Kryetarëve, por do të jenë anëtarë me të drejta të plota. Gjithashtu, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të zhvillohet jo më herët se 24 orë pas njoftimit të saj. PD-ja pranoi propozimin e opozitës që masa disiplinore për deputetët nga 21 ditë, të bëhet sërish siç ka qenë, 15 ditë. Ndërkohë që kanë lënë dy pika pa u dhënë zgjidhje, katër deputetët e grupit të punës kanë bërë disa ndryshime me konsensus në statusin e deputetit. Kështu, është rënë dakord që Grupi Parlamentar i PD-së dhe ai i PS-së të mos kenë nga një këshilltar, por nga katër. Gjithashtu, palët kanë gjetur konsensusin sa i takon akordimit të një buxheti për komisionet parlamentare. Pika e tretë që ka marrë votat e të dyja palëve është ajo e hapjes së zyrave në rrethe, nga një zyrë për çdo forcë politike që ka deputetë.

Bashkëkryetarët
Bashkëkryetarët e grupit të punës për reformën parlamentare, socialisti Namik Dokle dhe demokrati Jemin Gjana, të kontaktuar dje në telefon, nuk pranuan të flasin lidhur me bllokimin e punës së tyre në disa prej çështjeve të rëndësishme të kësaj reforme. Ata nuk pranuan të komentojnë, duke u shprehur se opinionet e tyre i shkëmbejnë në mbledhjet e përjavshme që zhvillojnë mes tyre.

Afatet
Demokratët dhe socialistët pritet ti propozojnë Kuvendit shtyrjen e mandatit të grupit të punës për reformën parlamentare.
Burime pranë grupit të punës, që do të ndërmarrë dhe ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, bëjnë të ditur se do të kërkohet edhe një muaj kohë për përfundimin e reformës së cilësuar si një ndër prioritetet kyçe nga KE. Afati i përfundimit të mandatit të grupit të punës është
data 15 prill.

Grupet e Interesit
Partia Socialiste ka kërkuar që projektligjet e propozuara nga ekzekutivi në asnjë rast të mos kalojnë për votim në Parlament, pa marrë më parë aprovimin e grupeve të interesit. Duket se ky propozim i opozitës është pranuar edhe nga eksperti britanik që po asiston grupin e punës për reformën parlamentare. Aktualisht grupet e interesit mund të thërriten ose jo në varësi të projektligjit, por me këtë ndryshim, prania behët e detyrueshme.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›