E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sota: Kthejmë Vlorën në modelin e një qyteti të pastër dhe mikpritës

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Vlorë, Dionis Sota, i cili mbështetet nga Partia Demokratike, prezantoi sot vizionin e tij për drejtimin e bashkisë së Vlorës.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve vlonjatë, Sota u shpreh se nuk synon të bëjë politikë dhe nuk do të hedhë kurrë baltë mbi asnjë vlonjat.

“Përkundrazi do të bind cilindo se gjithçka realizohet me punë. Do të sjell bashkinë më pranë qytetarëve dhe do tregoj se të gjithë janë të barabartë”, u shpreh ai.

Duke folur mbi programin e tij elektoral, Sota u shpreh se synimi është të kthejmë Vlorën në modelin e qytetin mesdhetar të pastër dhe mikpritës.

“Do të vendosim themelet e administratës që punon për njerëzit. Do të garantojmë transparencën e kontratave të pastrimit, ndriçimit dhe të gjitha punëve publike. Ndriçim i rrugëve dhe parqeve sidomos në zonat periferike dhe pranë shkollave”, ishin disa nga premtimet e Sotës.

Për t’i dhënë fund përmbytjeve, Sota u shpreh se do të punohet për një rrjet kanalizimesh funksional.

Po ashtu, prioritet sipas tij, do të jetë edhe pastrimi i plotë i gjithë vijës bregdetare dhe lagjeve urbane.

Sota premtoi mbështetje dhe lehtësi fiskale për bizneset prodhuese. “Siguroj mbështetje për prodhuesit e vajit të ullirit dhe agrumeve. Tarifa më të ulëta taksash për biznesin prodhues”, tha ai.

Në aspektin social, Sota premtoi mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta dhe ndihmë për të moshuarit e vetmuar dhe familjet në nevojë.

Nxitja e identitetit  kulturor dhe garantimi i turizmit gjithëvjetor, janë të tjera prioritet të programit të tij politik. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›