E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sovranët e panjohur të Egjiptit të lashtë

Një papirus i tre mijë vjetëve më parë, dy të dërguar të Muzeut Britanik, disa mbledhje mes ekspertëve që zgjatën për dy ditë në Muzeun Egjiptian të Torinos. Kaq mjaftoi për të mësuar se janë zbuluar pjesët e munguara të një enigme të lashtë. Dhe në fund zgjidhja: kishte mbetur prej vitesh e harruar në bodrumet e ndërtesës.

Duket vërtet si një prej atyre skenarëve të filmave hollivudianë me temë arkeologjinë, zbulimi i këtij dokumenti shumë të rëndësishëm, që plotëson listën e dinastive të faraonëve egjiptianë: të gjitha të dhënat e grumbulluara bëjnë të mendohet se deri tani kronologjia dhe lista e dinastive që njohim ka qenë e gabuar dhe se i duhen shtuar emra faraonësh, për të cilët nuk kemi dëgjuar kurrë më parë.

Drejtori i Muzeut Britanik, Nail MekGregor, gjatë një ceremonie në ambasadën italiane në Londër, të zhvilluar vitin e shkuar, kishte vënë në dijeni palën italiane se kishte ndër mend të vinte në dispozicion ekspertët më të mirë për të restauruar dokumentin më të rëndësishëm në zotërim të Muzeut Egjiptian të Torinos. I njohur ndryshe edhe si "Papirusi i Torinos", lista është në gjendje aq të keqe sa as që arrin t‘u tërheqë vëmendjen vizituesve, të cilët ndodh shumë shpesh të vazhdojnë te stendat e tjera pa u ndalur. Por është aq e rëndësishme për historinë e Egjiptit të Lashtë sa ekspertët më në zë të ditëve tona kanë kaluar ditë të tëra në Torino për të zbardhur përmbajtjen e tij.

Bernardino Droveti do të kishte qenë pak më i kujdesshëm, kur e gjeti të paprekur në vitin 1822. Sot studiuesit e Egjiptit të Lashtë do t‘i kishin gjërat shumë më të thjeshta. Por diplomati piemontez e hodhi pa kurrfarë kujdesi në një baule bashkë me shumë të tjera dhe me të mbërritur në Torino vërejti se dokumenti ishte thërrmuar thuajse tërësisht.

U desh më shumë se një shekull për t‘i ribashkuar copëzat, në mënyrë që të krijonin një sens dhe ajo që shohim sot është restaurimi i egjiptologut Xhulio Farina, i cili i fiksoi copëzat e papirusit mes dy fletësh qelqi në vitin 1938. Deri tash askush nuk kishte guxuar të diskutonte për ripozicionimin e fragmenteve të papirusit, ashtu edhe si për modifikimin e kronologjisë së faraonëve, që bëhej e detyrueshme në një rast të tillë.

Por, në çastin kur i dërguari i Muzeut Britanik, Riçard Parkinson, i shoqëruar nga kolegia Bridxhet Liç (një prej tre njerëzve në botë që di të restaurojë një papirus) ngriti pyetjen që ndryshoi gjithçka: "Mund të më tregoni fragmentet e munguara"? - në sallën e mbledhjeve të Muzeut Egjiptian të Torinos askush nuk e fshehu habinë mbi këtë kërkesë: nëse dukej qartë që shumë prej fragmenteve mungonin, askush nuk shpresonte se mund të gjendeshin gjëkundi tjetër.

Konfirmimi i parë i ekzistencës së fragmenteve të munguara erdhi duke shfletuar "Ligjin Mbretëror të Torinos", i shkruar në vitin 1959 nga Alan Henderson Gardiner për llogari të Institutit Grifit të Oksfordit dhe që gjendet që atëherë në bibliotekën e këtij muzeu. Në kreun IX, studiuesi britanik kishte riprodhuar me besnikëri mbresëlënëse disa prej fragmenteve që nuk qenë përfshirë nga Farina në dokumentin e restauruar, ndoshta ngaqë nuk përputheshin me fragmentet fqinje.

Gardiner ka qenë një prej egjiptologëve më autoritarë të shekullit XX. Nuk gëzonte simpatinë e Hauard Karterit, njeriut që zbuloi varrin e Tutankhamonit ("Sa më shumë e njoh, aq më pak më pëlqen"), por ishte i shkëlqyer në fushën e vet dhe gramatika egjiptiane që shkroi shumë vite më parë është e domosdoshme për këdo që kërkon të mësojë të lexojë hieroglifët.

Pas shumë orë diskutimesh ishte Elvira d‘Amikone, egjiptologe e Ministrisë së Kulturës Italiane, ajo që pati nuhatjen e duhur: Nëse papirusi kishte mbërritur i fragmentizuar në muze, pjesët e munguara nuk mund të gjendeshin shumë larg. Mbase do të ishte mirë të kërkoheshin në katet e nëndheshme të ndërtesës së muzeut, në atë magazinë misterioze ku gjenden aq shumë objekte, sa për të ngritur një muze tjetër.

Dhe në fakt ishin pikërisht aty, të harruar prej një gjysmë shekulli në një dollap: një dorë e mëshirshme madje kishte vendosur disa prej fragmenteve mes dy lastrash qelqi, në mënyrë që të ruheshin më mirë. Por përpara se të bëhej i mundur studimi i tyre duhej kaluar edhe një pengesë tjetër. Sipas ligjit, objektet nuk i përkasin muzeut ku gjenden, por shtetit italian dhe nuk mund të merret asgjë pa lejet dhe autorizimet e nevojshme. E informuar për peshën e zbulimit, superintendentja e sektorit të antikitetit, Maria Baçi, lëshoi menjëherë të gjitha lejet e nevojshme për nisjen e punës.

Javën e shkuar "Papirusi i Torinos" gjendej mbi një tavolinë laboratorike në katin e fundit të muzeut, përkrah një mumieje (edhe ajo në pritje për t‘u restauruar), ndërkohë që profesor Parkinsoni e shihte si të ishte e dashura e tij: "Falë këtij zbulimi mund të arrijmë në përfundimin se restaurimi i bërë nga Farina është i gabuar. Fragmentet do të pozicionohen ndryshe, duke shfrytëzuar edhe pajisjet teknologjike që kemi në Londër. Jemi në gjendje të bëjmë një punë shumë të mirë nga ajo e shtatëdhjetë viteve më parë".

Bridxhet Liçi i observoi copëzat e papirusit me syze të posaçme, të pajisura me lente shumë të mëdha zmadhuese dhe foli që në Torino për ndërhyrjet që duheshin bërë: "Papirusi është restauruar që në Antikitet. I shihni këto fije mëndafshi? Ka shenja ngjitëseje të prodhuara nga dhjamë kafshësh që mund ta dëmtojë shumë". Eleni Vasilika, drejtoresha e muzeut nuk dinte ta përmbante gëzimin: "Është një zbulim tepër i rëndësishëm. Ka të ngjarë të rishikohen datat e dinastive, si edhe të shtohen emra të rinj faraonësh". Në rast se do të nënshkruhen të gjitha autorizimet, nëse nuk do hasim asnjë pengesë, nëse nuk lindin polemika, papirusi do të çohet në Londër, ku do të qëndrojë për muaj të tërë. Në kthim do të jetë krejt tjetër. Duhen rishkruar shumë libra të historisë së Egjiptit të Lashtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›