E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahia: Krenarë për Majkon, miku personal i mbretërisë

Legalistët ndjehen krenarë për vlerësimin që ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko i ka bërë figurës së mbretit, Ahmet Zogu. Kreu i PLL-së, Ekrem Spahia, në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” deklaroi se ky ka qenë një qëndrim konstant i deputetit të PS-së ndaj figurës së mbretit, ndërsa ka zbardhur edhe arsyet e “zbutjes” sipas tij të qëndrimit të PS-së ndaj familjes mbretërore. Sipas Z.Spahia, PS-ja përmes rishikimit të historisë kërkon që të rehabilitojë figurën e diktatorit komunist Enver Hoxha. Kreu i legalistëve tregon edhe për përgatitjet e fundit të komisionit shtetëror për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog në atdhe. Ai thotë se eshtrat e mbretit të shqiptarëve do të kthehen në muajin nëntor.
Z.Spahia si e konsideroni vlerësimin që ish-Kryeministri socialist Pandeli Majko i bëri figurës së mbretit, Ahmet Zogu?
Ne falenderojmë z.Majko, një nga eksponentët kryesorë të PS-së, dy herë kryeministër i vendit, deputet në pesë legjislatura për qëndrimin e tij ndaj Mbretit Zog. Qëndrimi i tij është konstant.
…Dhe konkretisht?
Në pranverën e vitit 2002 kur z.Majko ishte Kryeministër, me propozim të PLL-së dhe pas kërkesës së 75 deputetëve nga i gjithë spektri politik i parlamentit shqiptar, u mundësua kthimi përfundimtar në atdhe i familjes mbretërore më 28 Qershor 2002, mbas një ekzili të detyruar politik prej 63 vjetësh. Pritja madhështore që shqiptarët rezervuan në këtë ditë historike, ishte vlerësim i merituar për kontributet e paçmueshme që kjo familje ka dhënë për atdheun dhe kombin. Me këtë kthim u realizua një e drejtë e mohuar, një dëshirë e kahershme e shqiptarëve, por edhe finalizimi i përpjekjeve disavjeçare të legalistëve shqiptarë. Po gjatë kohës kur ishte kryeministër, z.Majko ka qenë i angazhuar për të kaluar me vendim qeverie e për t’ia kthyer vilën në Durrës familjes nbretërore. Po në kohën kur Majko ishte kryeministër në vitin 2003, me kërkesë të PLL-së dhe në respektim të vlerave të familjes mbretërore, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për Statusin e Familjes Mbretërore”. Përveç kësaj, Z.Majko ka qenë mik personal i familjes mbretërore.
Në ç’kuptim ka qenë mik personal?
Z.Majko ka qenë mik personal i mbretit Leka dhe ka qenë për ngushëllime kur ndërroi jetë ish-trashëgimtari i Fronit Mbretëror. Po ashtu Z.Pandeli Majko ka qenë një ndër politikanët pjesëmarrës në darkën e shtruar nga Mbreti Leka për zhvillimin e referendumit. Qëndrimet e tij na bëjnë krenarë.
Atëherë si e shpjegoni këtë qëndrim të Z.Majko ndaj familjes mbretërore dhe Mbretit Zog?
Mendoj se Z.Majko nuk flet vet si individ, por si përfaqësues i PS-së. Majko me qëndrimet e tij konstante dhe me vlerësimin e figurës së Mbretit Zog përmes rishikimit të historisë, është një rast i mirë për PS-në që të kërkojë edhe rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha. Ndoshta Z.Majko në këtë rast do të bëhet promotor, por duhet patur parasysh se pas kësaj PS-ja kërkon të rehabilitojë figurën e Hoxhës.
Por deri tani nuk ka asgjë konkrete nga ana e PS-së...
Tani jo, por është fare e qartë që qëndrimi i “zbutur” i PS-së ndaj figurës së mbretit të shqiptarëve është që të përfitojë nga rishikimi i historisë pikërisht për të rehabilituar figurën e diktatorit komunist. Dhe kjo mund të ndodhë pikërisht me fillimin e fushatës së re elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PS-ja do ta shfrytëzojë këtë rast ndonëse do jetë i pamundur. Shqiptarët i kanë dhënë fund diktatorit dhe diktaturës më të egër komuniste.
Kryeministri Sali Berisha e quajti Z.Majko kurajoz, por që rrezikon të bëhet ‘kurban’ i mbretërisë..
Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh mirënjohje për Kryeministrin Sali Berisha, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka bërë gjithçka për rishikimin e historisë, por në veçanti për figurën e mbretit të shqiptarëve, si një burrë shteti, në dobi të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Z.Berisha është i angazhuar edhe në kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në Shqipëri.
Z.Majko është sulmuar nga vetë brenda PS-së për vlerësimin që i ka bërë Mbretit Zog…
Z.Majko me qëndrimet e tij tregoi se është objektiv në vlerësimin ndaj mbretit Zog dhe se PS-ja si trashëgimtare e PPSH-së që ka hedhur baltë ndaj mbretit të shqiptarëve e ka të vështirë të pranojë realitetin dhe z.Majko tregoi të vërtetën. Pastaj PS-ja nuk ka pse të shigjetojë z.Majko se në vitin 2002 kur ai ishte kryeministër pa mbështetjen e PS-së nuk mund të merrej asnjë nga vendimet ndaj familjes mbretërore. Gjithsesi më herët në vitin e vështirë të 1997-ës, ka qenë ish-Presidenti Berisha ai që mblodhi tryezën e partive politike dhe u ra dakord sipas kërkesës së PLL-së për zhvillimin e referendumit për rikthimin e monarkisë në Shqipëri. Vlerësimi i kontributeve të Mbretit Zog dhe vendosja e tij në Panteonin e Shqiptarizmës, duhet të jenë veprimi më i arsyeshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar.
Ç’po bëhet me kthimin e eshtrave të Mbretit Zog, kur do të vijnë në Shqipëri?
Është ngritur një komisionin shtetëror me kryesimin e ministrit të Brendshëm, ministrit të Jashtëm, atij të kulturës, drejtorit të protokollit, jam dhe unë anëtar i këtij komisioni, Bashkia e Tiranës, që po merret me kthimin e eshtrave të Mbretit Zog. Tashmë ka ardhur koha që eshtrat e Mbretit Zog, të sillen dhe të prehen përjetësisht në atdhe. Eshtë në nderin dhe detyrimin e drejtuesve më të lartë të shtetit, që të ndërmarrin dhe kurorëzojnë nismën për kthimin në atdhe të eshtrave të kryetarit të Shtetit të Parë shqiptar të periudhës moderne dhe t’i vendosin me nderimet e merituara në varrezat mbretërore.
A do të kthehen në tetor, kohë kur dhe PLL e propozoi?
Gjithçka është drejt përfundimit dhe besoj se në muajin nëntor eshtrat e mbretit të shqiptarëve do të prehen në atdhe. Mbreti do të prehet në atdhe pikërisht në 100 vjetorin e Pavarësisë. Tashmë gjithçka është drejt përfundimit.
Po me ngritjen e mauzoleumit ç’po bëhet?
Mbreti Zog do të prehet pranë nënës së tij Sadijes. Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të nënës mbretëreshë, për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit burrin që i ndërtoi shtetin shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mauzoleu do të jetë më i madh se sa varri i nënës mbretëreshë, sepse aty do të prehen Mbreti vetë, do të prehet Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij, pra tani do të jetë një varrezë mbretërore.
Do të ketë ndonjë ceremoni të veçantë momenti i kthimit të eshtrave në atdhe?
Komisioni shtetëror po merret me përgatitjen e fundit të infrastrukturës së duhur për zhvillimin e ceremonisë shtetërore të kthimit të eshtrave të Mbretit Zog dhe besnikëve të tij. Do të ishte mirë që varreza do të ishte e vizitueshme dhe të merrte një kontekst historik. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›