E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Gjykata Kushtetuese e papërgjegjshme, të ndërhyjë mazhoranca

Tiranë, 14 shkurt, NOA- Partia Lëvizja e
Legalitetit ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të
lustracionit. Në një deklaratë për shtyp, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia u shpreh
se Kushtetuesja është një rudiment i diktaturës.

Me këto dy vendime, Gjykata Kushtetuese
veproi haptazi si një rudiment i organeve të diktaturës, të cilat pushkatuan
dhe dënuan me ose pa gjyq mijëra shqiptarë të pafajshëm duke i lënë ato edhe pa
varre, tha Spahiu.

Nga ana tjetër ai shtoi se zëvendësimi i gjashtë
anëtarëve të këtij organi është një rast i mirë që mazhoranca të ndërhyjë për
kthimin e dinjitetit të ish të dënuarve politikë.

Sipas tij, për aq kohë sa në përbërjen e
Gjykatës Kushtetuese ka anëtarë që janë në konflikt interesi me funksionet e
tyre, vendimet e kësaj gjykate nuk janë të papritura.

Përkundrejt kësaj situate kërkohet një veprim
energjik dhe i shpejtë i maxhorancës për të minimizuar çdo dëm që mund të vijë
nga përdorimi i papërgjegjshëm i pushtetit që Kushtetuta e vendit i ka dhënë
Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësimi së shpejti i gjashtë anëtarëve në këtë
Gjykatë duhet të shërbejë edhe për rritjen e profesionalizmit dhe paanësisë së
kësaj gjykate, u shpreh Spahiu.

Nga ana tjetër ai vlerësoi dhe rolin tryezën e
organizuar nga Presidenti Topi me kryeministrin Berisha dhe kryetarin e PS-së,
Rama.

xh/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›