E Diel, 1 Nëntor 2026

Riatdhesohen 90 shqiptarë që synonin Greqinë, mes tyre një vajzë

Policia
shqiptare dhe ajo greke kryejnë operacionin Rrjeta e gjelbër

Kakavijë, 14 Shkurt NOA Policia shqiptare
dhe ajo greke përmes një operacioni të përbashkët të koduar me emrin Rrjeta e
gjelbër, ka kryer bllokimin dhe shoqërimin e rreth 90 shtetasve shqiptarë të
cilët synonin Greqinë duke hyrë ilegalisht në vendin fqinjë.

Në këtë aksion u gjet dhe një vajzë e cila
sipas hetimit po dërgohej në Greqi për tu përdorur si prostitutë e gjithashtu
janë ndaluar edhe dy të dyshuar si trafikantë klandestinësh.

Operacioni

Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës,
thanë se aksioni i 48 orëve të fundit, erdhi në vijim të operacioneve me afat
të shkurtër kohor që Policia Kufitare e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe
Migracionin Gjirokastër ka zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Greke.

Plani i operacionit të koduar Rrjeta e
Gjelbër, ishte për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit si dhe për
goditjen e të gjitha rasteve të trafiqeve që mund të zhvillohen nëpërmjet
kufirit të gjelbër me shtetin grek.

Fillimisht është zhvilluar një takim midis Drejtorit
të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër dhe Drejtorit të
Policisë Kufitare të Janinës si dhe midis Shefave të Stacioneve Kufitare të të
dy palëve ku është bërë edhe ndarja e zonave të patrullimit sipas piramidave, me
qëllim mbulimin e të gjithë territorit jeshil me forca të policisë të të dy
palëve.

Në përfundim të Operacionit u arritën këto
rezultate:

Nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të
Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër gjatë dy ditëve të
operacionit janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 58 shtetas të cilët tentonin të
kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Po kështu është bllokuar edhe një femer qe
dyshohet se është viktimë e trafikut, ku për këtë rast po punojnë strukturat e
specializuara të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për zbardhjen e
plotë.

Nga ana e Policisë Greke gjatë dy ditëve të
operacionit janë bllokuar dhe kthyer mbrapsht 30 shtetas të cilët kishin për
qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek.

Po nga këto shërbime janë kapur dhe arrestuar
dy shtetas për veprën penale Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia tha se operacione të tilla me afat të
shkurtër kohor do të zhvillohen edhe në ditët e ardhshme.

v.d/e.r/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›