E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: “Gjyqtarët nuk mund të gjykojnë me dy standarde”



Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, solli dje në fjalën e tij problemet e Gjyqësorit dhe shqetësimet e shumë qytetarëve që u janë prekur interesat nga dhjetëra vendime gjykatash. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, evidentoi edhe standardet e dyfishta që aplikohen nga gjyqtarët për vepra të njëjta penale. Gjatë analizës së punës për 29 gjykata të shkallës së parë dhe dytë në vend, kreu i KLD-së shtroi domosdoshmërinë e rritjes së pagave për gjyqtarët, masë kjo që do të rriste cilësinë e punës së tyre. Pas hartimit të buxhetit të vitit 2010, sistemi i Drejtësisë në vend u përfshi nga reduktime të ndjeshme të fondeve. Në një sërë gjykatash buxhetet u përgjysmuan nga 25 deri në 50%. Duke iu referuar problemeve që dolën nga analiza e punës në 29 gjykata të vendit, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, tha se dy kanë qenë fenomenet që bllokojnë proceset në rang kombëtar: mosparaqitja e avokatëve, ekspertëve apo dëshmitarëve, si dhe mungesa e adresave, që sjell dështimin e njoftimeve. Spahiu u shpreh se pothuajse në të gjitha gjykatat shqiptare ka çështje të mbartura nga vitet e shkuara duke i futur ato në kurthin ligjor të pezullimit.

Gjyqtarët: Duam rritje pagash dhe më shumë siguri

Në takimin e djeshëm ishim të pranishëm dhe shumë kryetarë gjykatash dhe gjyqtarë. Gjyqtarët nuk ngurruan t’u kërkonin përfaqësuesve të tyre në KLD që të kujdesen më shumë në mënyrë që pagat e tyre të rishihen, si dhe shteti t’u ofrojë më shumë siguri. Gjyqtarët kanë kundërshtuar madje edhe draftin e fundit që po hartohet në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas tyre, nëse do të ketë rritje page duhet të ketë për të gjithë trupën e gjyqtarëve, pavarësish shkallëve ku ata japin drejtësi. Kjo shpjegohet edhe me faktin se pagat e tyre përllogariten sipas një shkalle hierarkike që nis nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Vendet bosh, 70 kandidatura në tryezën e Topit

Presidenti i Republikës ka marrë në dorëzim rreth 70 kërkesa për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Ky fakt pohohet nga burimet në Presidencë. Të njëjtat burime sqarojnë se pas dorëzimit të kërkesave, Topi do të ketë konsultime në tërësi për të arritur në përzgjedhjen e emrave të duhur për gjashtë vendet bosh në Kushtetuese dhe tre në Gjykatën e Lartë. Mësohet se ky proces është lënë paksa mënjanë në mënyrë që të normalizohej situata e krijuar së fundi në Parlament. Gjatë fjalës së djeshme Topi u shpreh se nuk ka ndër mend të presë pa fund klasën politike dhe se kjo e fundit nuk mund të mbajë peng vendimet kushtetuese që duhet të marrë Presidenti. Në këtë mënyrë Topi la të kuptohej se shumë shpjet do të bëjë publik edhe emrat përzgjedhës për këto vende bosh.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›