Berisha: “Në Komision të dominojë kompromisi me opozitën dhe respekti për Kushtetutën”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, u shpreh se në Komisionin e Ligjeve duhet të dominojë kompromisi me opozitën, por në respekt të Kushtetutës. Ai tha se e kishte ndjekur me vëmendje mbledhjen e djeshme të Komisionit, ku u shqyrtua projektligji i PS-së për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Berisha vuri në dukje se maxhoranca i ka bërë opozitës shumë lëshime në drejtim të realizimit të kërkesave të tyre. Gjatë fjalës së tij Berisha njoftoi se PD-ja do të nisë shumë shpejt një dialog me qytetarët. Ai tha se duhet të shkohet në çdo skaj të vendit për t’i njohur qytetarët me reformat e qeverisë, arritjet, por dhe me mosarritjet e saj.
Komisioni
“Parlamenti këtë periudhë ka miratuar ligje më shumë se kurrë në historinë e tij për të njëjtën periudhë kohe dhe ligje të një rëndësie shumë të madhe. Uroj dhe dëshiroj, me sinqeritet, që në diskutimin e nisur sot në Komisionin e Ligjeve të predominojë shpirti i kompromisit dhe të procedohet me vendimet e duhura, në përputhje të plotë me Kushtetutën, me ligjet e vendit, por edhe në kompromis me opozitën”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se duhen informuar qytetarët me lëshimet që maxhoranca i ka bërë opozitës. “Duhet të informoni çdo qytetar, sepse çdo shqiptare dhe shqiptar duhet ta dijë se në rast se opozita ka listuar një seri kërkesash, maxhoranca ka listuar një seri ofertash dhe kompromisesh të ndershme. Disa prej tyre janë të paprecedentë në historinë e Europës. Asnjë prej atyre që merr përsipër të lexojnë legjislacione nuk do të gjejë kurrë një komision pakicë dhe shumicë, siç jemi ne të vendosur të ngremë komisionin e opozitës. Nuk ekziston një maxhorancë që t’i thotë opozitës ‘hartoji të gjitha amendamentet dhe unë t’i votoj me kushtin e vetëm që të kenë një ekspertizë ndërkombëtare’; ekziston një maxhorancë që t’i thotë opozitës ‘dërgo të gjitha provat në Prokurori dhe ne nuk pretendojmë asnjë afat’, ndonëse në zgjedhje ka një afat. Afatet janë përcaktuese për stabilitetin e zgjedhjeve dhe stabiliteti i zgjedhjeve është stabiliteti i vendit dhe i demokracisë, por ne tregojmë gjerësinë më të madhe”, - është shprehur Berisha.
Dialogu
Më pas kryeministri i informoi deputetët e PD-së për nismën më të re, për të ndërmarrë një tur në të gjithë vendin, në mënyrë që të njoftohen qytetarët për reformat e qeverisë. “Unë numërova disa, por janë një seri ofertash dinjitoze që ne i kemi bërë opozitës me qëllimin më të mirë për t’i mundësuar asaj një pozicion dhe një qëndrim të ri. Maxhoranca fillon këtë javë dialogun me qytetarët shqiptarë. Ne duhet të shkojmë në çdo skaj të këtij vendi dhe të njohim me reformat, me rezultatet, me arritjet, me mosarritjet. Në tërësi ne duhet të bëjmë një dialog të hapur me qytetarët shqiptarë, me të rinjtë, me të moshuarit, me pensionistët. Është shumë e rëndësishme që të takohemi me pensionistët, sepse askush nuk ka bërë atë që kemi bërë ne për pensionistët”, - është shprehur Berisha, duke mos e cilësuar këtë një tur elektoral. Ai tha se dialogu duhet të bëhet me të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike. “Është e domosdoshme të zhvillojmë dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë të të gjithë spektrit politik. Është e domosdoshme t’i njohim ata një për një me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e këtyre rezultateve. Çdo qytetar shqiptar ka interes madhor në këtë proces dhe ndaj duhet të dijë se çfarë ka bërë qeveria për kontrollin e integruar të kufijve dhe çfarë nënkupton kjo; se çfarë ka bërë qeveria për luftën me sukses të krimit të organizuar dhe se cilat janë hapat e rinj; cilat janë përpjekjet e mëdha dhe të suksesshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit”, - është shprehur Berisha.
9 Mars 2010