E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Gjyqtarëve u duhet integritet jo imunitet

TIRANE- Gjyqtarët tanë kanë nevojë për integritet dhe jo për imunitet, tha sot në Durrës nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në analizën vjetore të gjykatave të rretheve të Durrësit dhe Kavajës.

Duke folur për perceptimin ende negativ të qytetarëve lidhur me vendimet e gjykatave Spahiu nënvizoi se "drejtësia duhet të jepet, por edhe të duket". Gjyqtarët janë shërbëtorët e parë të qytetarëve, tha Spahiu, duke shtuar se nga monitorimet vendase dhe ndërkombëtare rezulton se ende në gjykatat tona vijojnë mungesat e palëve, mosrepektimet e orareve apo mungesa e solemnitetit.

Sipas nënkryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu, sistemi i drejtësisë duhet respektuar në të gjitha hallkat e tij, nga policia gjyqësore e prokuroria deri te shkallët e gjyqësorit dhe Zyrat e Përmbarimit. Ndërveprimi institucional mes tyre është një kërkesë që buron edhe nga shembulli i homologëve tanë evropianë.

Duke folur për veprimtarinë e gjykatave të Durrësit dhe Kavajës gjatë vitit 2010 Spahiu vlerësoi se duhet bërë më shumë për përfundimin brenda afateve të arsyeshme të proceseve penale, duke shfrytëzuar edhe gjykimet penale të pandërprera si dhe krijimin e kalendareve të punës në gjykata.

Kryetari i gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, vlerësoi plotësimin e organikës me 11 gjyqtarë të rinj, gjë që ka mundësuar rritjen e numrit dhe të cilësisë së gjykimit. Gjatë vitit të kaluar janë gjykuar 8516 çështje dhe kanë përfunduar 76 për qind e tyre. Vendimet e shkallës së parë nuk janë cënuar nga Gjykata e Apelit në 73 për qind të rasteve, një tregues i korrektesës në gjykim, sipas Metallës.

Kryetari Metalla u ndal veçmas në gjykimin e 9 rasteve për "ushtrim të paligjshëm të ndikimit” dhe “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike", të cilët kanë marrë dënime nga 2-5 vjet.
(atsh/balkanweb) Lidhje te tjera VIDEO: Durrës, Spahiu: Gjyqtarëve u duhet integritet jo imunitet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›