E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik fishekësh drejt Mitrovicës

Rreth 7000 fishekë do të udhëtonin nga Burreli drejt veriut të Kosovës. Në pranga 5 persona, pas survejimit pesëditor

BURREL - Aksioni më i fundit policor i kryer në Burrel, gjatë të cilit u shkatërrua një rrjet trafiku armësh nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, i ka ngjarë një skene filmi policesk. Efektivë policie të maskuar e të armatosur, jelekë antiplumb, armë gati për shkrehje, pesë persona të kapur me “presh në duar”, dy prej të cilëve kosovarë dhe “mali” me rreth 7000 fishekë që po i paketonin për t’i dërguar drejt Tiranës, është gjithçka e sjellë nga skena e aksionit policor që ka zgjatur vetëm pak minuta. “Surpriza” e operacionit sigurisht nuk ka qenë e vogël. Fishekët kishin si destinacion përfundimtar Mitrovicën, qytetin verior të Kosovës, ndërkohë që në këtë trafik ishin të përfshirë magazinieri i repartit ushtarak të Burrelit dhe një ish-punonjës policie. 

Në pranga

Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se operacioni i koduar “Dungu” nisi orët e pasdites së të hënës, dhe çoi në kapjen e Naim Dungut, 42 vjeç, Shaban Sulmetës, 46 vjeç, Behar Dungut, 33 vjeç, që të gjithë lindur dhe banues në Burrel, si dhe dy kosovarëve, Arben Beka, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gumnisht komuna Vushtri, dhe Ali Peci, 38 vjeç, lindur dhe banues në Mitrovicë. Ata akuzohen për konsumim të “trafikimit të armëve dhe municioneve”, si dhe të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërkohë që sipas burimeve zyrtare pranë qytetit të Burrelit, pohohet se specialistë të cilët do të realizonin operacionin, prej pesë ditësh ndodheshin në këtë qytet, por ky fakt është mbajtur sekret, në mënyrë që aksioni të mos dekonspirohej nga punonjësit e policisë. Pas informacioneve të rezervuara që policia kishte marrë në lidhje me një linjë trafiku fishekësh Kosovë-Shqipëri, kishte nisur puna për hetimin e të dhënave.

Hetimi

Të dhënat fillestare se në lagjen “Dungu” magazinoheshin e paketoheshin armë e municione, të cilat dërgoheshin në Kosovë, dhe verifikimi i saktësisë së këtij informacioni, çoi dje në shkatërrimin e një pjese të kësaj linje trafiku. Nga burimet nuk bëhet e ditur nëse këto municione janë marrë ditët e fundit nga magazinat e Mollzave, Pyllit të Kadiut apo janë mbajtur të fshehura që nga viti 1997. Organet e drejtësisë po hetojnë në lidhje me aktivitetin e rrjetit të trafikantëve të municioneve e armëve dhe mundësinë e përfshirjes së tyre edhe në trafik droge e tritoli. Mësohet gjithashtu, se grupi hetimor i ngritur me shpejtësi pas ngjarjes së bujshme po heton edhe në lidhje me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë së Burrelit në këto trafiqe.

Operacioni

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hyrë me shpejtësi në banesën e Naim Dungut, ku kanë kapur në flagrancë tre shqiptarë dhe dy kosovarë, të cilët punonin në paketimin e 7000 mijë fishekëve të kalibrave të ndryshëm. Naim Dungu, pronar i shtëpisë, ish-punonjës i grupit të gatshëm në Komisariatin e Policisë së Burrelit, nga viti 1992-1997, kushëriri i tij, Behar Dungu, magazinieri i repartit ushtarak të Burrelit, Shaban Sulmeta dhe kosovarët Ali Peci e Arben Deka janë shtangur teksa punonjës policie të maskuar, me antiplumb dhe të armatosur ia kanë behur në shtëpinë e Dungëve dhe kanë lëshuar thirrjen: “Policia”! Të pesë personat janë vënë në pranga, teksa paketonin në kuti kartoni municione luftarake. Shaban Sulmeta siguronte municionet në repartet ushtarake të Burrelit. Gjatë momentit të kapjes së tyre iu gjendën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale automatiku model 56, 6320 copë fishekë, ku nga këto 3600 copë model 56 dhe 2720 model 54, automjeti tip “Audi” me targa të Kosovës, një motoçikletë tip “Madens”, shuma e parave prej 350 eurosh dhe 21 200 lekësh, si dhe një pasaportë në emër të Naim Dungut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›