E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Rama bëri incidentin në Vjenë pas telefonatës 30 minutëshe me mua

TIRANE - Zyrtarisht, të mërkurën e 24 prillit, në orën 18:00 skadoi afati i regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore për garën parlamentare të 23 qershorit 2013. Vetëm 5 minuta përpara këtij afati, kryetari i Partisë Aleanca Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, njoftoi se nuk u arrit marrëveshja me kupolën socialiste për t’u bërë pjesë e koalicionit opozitar “Për Shqipërinë Europiane”.
Sot, katër ditë pas dështimit të marrëveshjes me PS-në, Spahiu thyen heshtjen për herë të parë, duke folur ekskluzivisht për gazetën “Panorama”; negociatat me Edi Ramën, çfarë e detyroi AK-në që të dalë e vetme në zgjedhje, përplasjet e inskenuara brenda partisë, por edhe detaje mbi jetën e tij private…

Të mërkurën deklaruat daljen e AK-së e vetme në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Pse e morët këtë vendim?
Për gati dy vjet AK u rrit, u zhvillua, triumfoi e vetme pothuajse në të gjithë establishentin e vjetër politik. Ndryshe nga të gjitha partitë e reja në këto 20 vite, AK nuk lindi si krijesë e deputetëve të mërzitur të PD-së apo PS-së. Pra, nuk ishte një fraksion i partisë së majtë apo të djathtë. Në këtë fizionomi, AK krijoi një domen shumë të veçantë, që lidhej me kauzën e një nacionalizmi liberal, por edhe të një opozite të vërtetë radikale kundër korrupsionit qeveritar, deri duke qenë e vetmja forcë që kërkonte me insistim ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe shtetasin Berisha.

Rrëzimin e Berishës dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë e ka kërkuar njëkohësisht edhe PS-ja. Atëherë pse nuk u arrit marrëveshja me PS-në dhe e pati realisht negociata?
Kam pasur negociata intensive me të gjithë liderët politikë të spektrit opozitar, duke filluar nga kreu i PS-së, Edi Rama, ai i LSI-së Ilir Meta, i PSD-së Skënder Gjinushi, me Paskal Milon, Petro Koçin, Idajet Beqirin etj. Sa i përket PS-së, e cila kishte marrë përsipër ngritjen e aleancës opozitare, duhet t’i bënte ftesë AK-së për negociata dhe jo presion.

Ç’është ky presion që po i referoheni?
Nga z. Rama është deklaruar dy javë para se të skadonte afati i zgjedhjeve se AK ose duhet të jetë pjesë e koalicionit të PS-së, ose është armike dhe i bie që të jetë “pjellë” e PD-së. Pra, në këtë koncept kemi një mentalitet bolshevik të z. Rama, ku së bashku me z. Berisha tashmë e konsiderojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si një turmë dhe si një vath bagëtie; ku gjysma e bagëtisë duhet të jetë e Ramës dhe gjysma e shtetasit Berisha. Ata nuk e konceptojnë dot që jashtë këtyre dy vathëve të mundet të ketë grupe shoqërore apo lëvizje të tjera. Dhe ndërkohë që LSI-së iu bë ftesë për ndarje pushteti nga ana e PS-së, për ta ngritur pushtetin së bashku, AK-së iu bë presion i hapur. Ne kërkuam që ftesë të ngjashme ashtu si LSI, por kjo ftesë nuk erdhi kurrë.

Kur thoni “ftesë të ngjashme” me LSI-në, më konkretisht çfarë kërkuat ju për të hyrë në koalicion me PS?
E para, kërkuam që PS të bënte publike dhe transparente ftesën dhe marrëveshjen që kishte me LSI, gjë që nuk ndodhi. E dyta, AK-së t’i takonte më shumë respekt, më shumë moral, sepse vinte me një kauzë ndryshe, antikorrupsion, patriotike dhe me një elektorat më të lartë se sa LSI. Në këto kushte u detyruam të parashtrojmë një platformë dhe projektmarrëveshje me gjashtë kërkesa, që tashmë janë bërë publike. Këto 6 kërkesa, me gjithë negociatat intensive, u refuzuan deri 5 minuta para orës 18:00 të së mërkurës, kur edhe skadonte afati në KQZ.

Megjithatë, Rama nuk nxori si shkak refuzimi asnjë nga 6 pikat tuaja si kusht për marrëveshjen, por faktin se ju keni kërkuar 5 deputetë nga listat e PS-së dhe portofola ministrorë…
Jo, nuk është aspak e vërtetë. Asnjëra nga këto.

Nuk keni diskutuar ndonjëherë me z. Rama për numrin e deputetëve në këmbim të marrëveshjes parazgjedhore?
Në asnjë rast nuk është diskutuar për këmbim deputetësh apo ministrash. Ka një qëndrim zyrtar të AK-së, ku ne nuk kemi kërkuar as karrige ministrore, as mandat deputetësh. Ne kemi vetë vota për të fituar një numër të lartë deputetësh. Sakaq, ka një deklarim zyrtar të negociatorit të PS-së, z. Damian Gjiknuri: Se dy kushtet e AK-së që kishin të bënin me heqjen e kufirit doganor me Kosovën dhe nënshkrimin e një pakti politik për hetimin dhe ndëshkimin e shtetasit Sali Berisha, refuzoheshin kategorikisht nga PS-ja.

Po vetë Rama, çfarë ju ka thënë?
Edhe 5 minuta para skadimit të afatit, në bisedë telefonike i kam kërkuar liderit të opozitës, z. Rama, që të marrë kurajën, që të mos hezitonte të firmoste paktin politik që më 24 qershor të hiqeshin barrierat politike e të futej kultura e ndëshkueshmërisë për të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar që kanë kryer krime në këta 23 vjet, duke nisur nga shtetasi Berisha. Z. Rama insistoi për 30 minuta duke më thënë se duhet me çdo kusht ta hiqja nga kërkesat emrin e shtetasit Berisha. Refuzova dhe kështu vendosëm që të hynim të vetëm në zgjedhje, sepse ne nuk mund të tradhtonim kauzën tonë, e cila ishte reflektuar në projektmarrëveshjen me 6 pika.

Pas refuzimit për koalicion, Sajmir Tahiri ju etiketoi “sorrë”, ndërsa vetë Rama ishte më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë duke ju quajtur “xhuxhmaxhuxh” dhe duke ju akuzuar se keni kërkuar 5 deputetë diversantë në këmbim të marrëveshjes me PS-në… Cili është reagimi juaj?
Në formimin arsimor dhe edukatën time familjare, nuk ma lejon etika që t’u kthehem këtyre personazheve me të njëjtat fyerje dhe ofendime. Mendoj që z. Rama tashmë ndihet thellësisht i tronditur. Ka humbur qetësinë dhe në të njëjtën orë e minutë është detyruar që të rrahë diplomatin shqiptar në Vjenë për shkak të nervozizmit, sepse iu trondit toka nën këmbë, iu trondit marrja e pushtetit, ëndrra e tij për të qenë Kryeministër. Unë ndiej keqardhje për z. Rama, sepse nuk duhet që liderët politikë të rrëshqasin në këtë banalitet ku e ka lejuar ai veten. Shqipëria opozitare sot duhet të kishte vetëm një kundërshtar, dhe ai duhet të ishte Kryeministri aktual. Fatkeqësisht mund të them, me keqardhje, se me sa duket ekziston një marrëveshje e fshehtë mes Ramës dhe shtetasit Berisha…

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›