Spahiu: Të hapet konsullatë shqiptare në Manastir

Aleanca “Kuq e Zi” ka kërkuar hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir, qytetin e njohur të konsujve.
“Kam dy mesazhe apo kërkesa që do ti drejtohem zyrtarëve në Tiranë: E para është që qeveria shqiptare të hapë Konsulatë në Manastir sa më parë; dhe e dyta është që të interesohet edhe për respektimin e reciprocitetit, e këtu e kam fjalën për respektimin e gjuhës shqipe me interes të bashkëjetesës" ka theksuar kreu i AK-së Kreshnik Spahiu gjatë turit të tij në Maqedoni ndërsa shtoi se për të bashkëjetuar duhet njohur edhe gjuha e bashkëvendasve, që në rastin konkret nënkupton njohjen e gjuhës shqipe nga bashkëvendasit maqedonas. Sipas tij, kjo nuk është kërkesë maksimaliste, por është kërkesë e kohës bashkëkohore për bashkëjetesë.
Duke folur për integrimin europian, Spahiu ripërsëriti edhe një herë idenë se shqiptarët në Europë duhet të shkojnë të bashkuar, gjë që nuk rrezikon asnjë postulat apo koncept tjetër evropian. “Tani, koha e luftërave ka përfunduar. Tani është kohë tjetër, është kohë që ka vetëm luftë idesh dhe ne afirmojmë këto ide bashkëkohore të integrimeve”, ka theksuar Spahiu.