E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu, kërkesë gjyqtarëve: “Mos i toleroni të akuzuarit për korrupsion”



Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndryshe nga herët e tjera, realizoi dje një takim me gjyqtarët e disa gjykatave në veri të vendit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka shfrytëzuar takimin e djeshëm për t’u kujtuar togave të zeza se nuk duhet t’i tolerojnë të akuzuarit për korrupsion. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, përveçse u fol në gjuhë shifrash mbi punën e disa gjykatave, dolën në pah dhe shumë probleme që kanë Shkodra, Kukësi, Puka dhe Tropoja. “Ndryshe nga planifikimi fillestar për të realizuar analiza një për një të gjykatave, gjatë rrugës së filluar dy javë më parë na u duk më e përshtatshme të mblidhemi së bashku për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të diskutuar: si ato aspekte të punës tuaj që i ndiejmë shqetësime, ashtu dhe ato që i konsiderojmë arritje”, - nisi fjalën e tij Spahiu. Më tej, ky i fundit u shpreh se ishte në dijeni se këto gjykata kryesisht vuajnë nga aspekti ekonomik dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe nga numri i lartë i çështjeve delikate që lidhen me doza të forta të kriminalitetit specifikisht me veprat kundër jetës në zonën e Shkodrës.
Problemet
Sipas Spahiut, “nga të dhënat e punës tuaj njëvjeçare, rezulton se në të katër gjykatat e shkallës së parë ngarkesa e punës është e konsiderueshme”. Sipas statistikave të vitit 2009, vetëm Gjykata e Rrethit Shkodër, gjatë këtij viti ka gjykuar mbi 6300 çështje (shifër kjo e ardhur në rritje gjatë tre viteve të fundit), por edhe Gjykatës Kukës, Pukë apo Tropojë, të cilat kanë ngarkesa vjetore në shifra më të ulëta sesa Shkodra, por kanë disa herë më pak edhe organikë gjyqësore. Kështu: nëse në Shkodër kemi pasur 6300 çështje në vit – ngarkesa është përballuar nga 20 gjyqtarë; në Kukës mbi 1200 çështje janë përballuar nga 7 gjyqtarë (ky numër, sipas organikës së re, me dekret të Presidentit të Republikës, do të ulet me një gjyqtar, pra në 6); në Pukë mbi 1000 çështje janë përballuar nga 4 gjyqtarë; ndërsa në Tropojë mbi 500 çështje, janë përballuar po nga 4 gjyqtarë.
Sipas nënkryetarit të KLD-së, në Gjykatën e Rrethit Shkodër, në të cilën, krahasuar me të tre vitet e fundit, volumi ka ardhur në progresion rritës, në Pukë gjithashtu ku ngarkesa pothuaj është dyfishuar, ka rritje të lehtë në Kukës (ku dekreti i presidentit ka ulur një gjyqtar në organikë).
Specifikat
Në Shkodër ka ndarje në dhoma gjykimi, ka edhe seksion të miturish, ndërsa në tri gjykatat e tjera të shkallës së parë nuk ka as mundësi për ndarje. Puka e Tropoja kanë organika me nga 4 gjyqtarë. Në Pukë ngarkesa mesatare është 250 çështje për gjyqtar, por statistikat tregojnë se afro 60% e çështjeve të vitit 2009 janë urdhra ekzekutimi, ndërsa në sferën e gjykimeve penale raporti është: 2/3 kundërvajtje (ose 66,7%) dhe 1/3 krime (ose 23,3%. Në Tropojë, një pjesë e konsiderueshme e punës së çdo gjyqtari është gjykime civile të pushuara, madje këtu konstatoj me kënaqësi që çdonjëri nga të katër gjyqtarët ka pasur mundësinë të miratojë zgjidhje konfliktesh me pajtim. (Sipas të dhënave statistikore, ndër 302 çështje civile, është vendosur pushimi i gjykimit për 88 gjykime dhe janë zgjidhur me pajtim 20 çështje). Fenomeni i pushimit të gjykimit ndeshet edhe në Shkodër, rreth 1/5 e gjykimeve civile kanë përfunduar me vendim për pushimin e gjykimit. (sipas të dhënave statistikore, nga 4426 çështje civile, janë pushuar 839, ose 19% e tyre). Sigurisht, nëse palët harrojnë datën dhe orën e gjykimit, apo ndryshojnë mendje dhe tërhiqen nga gjykimi, nuk është faji i gjyqtarit, por disponimi i gjyqtarit me vendim pushimi, i lehtëson atij punën dhe i ul shanset për ankim të vendimeve. Në Kukës, akoma ndeshet vepra penale e vetëgjyqësisë, faktor tregues për mentalitetin zonal, por është gjithashtu fakt se në politikën e dënimit penal, gjoba kryeson llojin e dënimit. Sipas të dhënave statistikore janë dhënë 107 dënime, nga ku në 60 gjykime, akuzat kanë qenë kundërvajtje penale. Ndër statistikat që kryesojnë rezulton se: janë dënuar me gjobë 63 persona, ndërsa me burg deri në dy vjet janë dënuar 35 persona.

Shpejtësia në gjykim
Lidhur me shpejtësinë e gjykimeve, të dhënat janë përgjithësisht pozitive; konkluzion ky edhe i Inspektoratit të KLD-së, i cili, nga tërësia e procedurave verifikuese konstaton se “numri i ankesave për gjykatat tuaja është i pakët krahasuar me gjykatat e qendrës dhe jugut”, ndërsa pretendimet e ankuesve i referohen kryesisht vlerësimit të themelit të çështjes. Pavarësisht nga këto statistika, asgjëkund nuk mungojnë mbartjet. Problemin e mbartjes për shumë kohë, për shkak të një numri çështjesh të pezulluara, është hasur në shumë gjykata të tjera, ku dosjet përcillen vit pas viti dhe në kapakun e dosjes kanë shumë numra regjistrimi.

Box

Të dhënat tregojnë se gjykatat e vogla janë më të shpejta

- Në Gjykatën e Rrethit Kukës: shumica e çështjeve janë përfunduar brenda 2 muajve.
- Në Gjykatën e Rrethit Pukë: 60% e çështjeve penale dhe 75% çështjeve civile janë përfunduar brenda 2 muajve (dhe në këto të fundit nuk përfshihen urdhrat e ekzekutimit).
- Në Gjykatën e Rrethit Tropojë: pjesa më e madhe e çështjeve për çdo gjyqtar kanë përfunduar brenda 2 muajve.
- Në Gjykatën e Rrethit Shkodër: afati kohor i gjykimit “deri në dy muaj” është zënë në pothuaj 70% të çështjeve me kërkesa dhe 28% në çështjet me palë.

boc
Kritika për gjykimet administrative

“Më duhet ta bëj një kritikë: gjykimet administrative, të cilat janë të shumta në Gjykatën e Rrethit Shkodër, duhet të përfundojnë për një muaj sipas Kodit të Procedurës Civile. Kjo pothuaj nuk ndodh asgjëkund, aq sa mund të themi se është ligjëruar pamundësia e zbatimit të ligjit në këtë pjesë dhe, për pasojë, nuk ndodh as në Shkodër që një gjykim administrativ të jetë në norma të tilla rekordi”, - u shpreh dje me tone kritike nënkryetari i KLD-së. Sipas tij, nëse administrata publike vendore nuk u përgjigjet sipas kërkesës tuaj për të servirur prova në gjykim, atëherë gjyqtarët duhet të përdorin çdo instrument juridik që kanë në dorë, të gjobisin dhe në të njëjtën kohë të kërkojnë ekzekutimin te Zyra e Përmbarimit.

Vonesat në gjykim janë “borxh” që komuniteti ia faturon Gjyqësorit

Lidhur me cilësinë e gjykimeve rezulton se
në Gjykatën e Rrethit Kukës:
Në penale: Nga 29 vendime të ardhura nga Apeli janë lënë në fuqi 12 (më pak se 50%, por çështjet janë të viteve 2008 - 2009).
Në civile: nga 132 të ankimuara janë gjykuar në Apel vetëm 53% e tyre dhe janë lënë në fuqi 34% e gjysmës së shqyrtuar.

Në Gjykatën e Rrethit Pukë:
Në penale: Nga 14 vendime të ardhura nga Apeli janë lënë në fuqi 8 vendime (më shumë se 50%) dhe janë cenuar 6 vendime
Në civile: Rezultati është interesant; rezulton se vendimet e gjykuara janë 7 dhe të gjitha janë lënë në fuqi, por nuk janë gjykuar ende 35, që do të thotë se ne flasim për cilësi duke marrë për bazë 1/6 e vendimeve të ankimuara.

Në Gjykatën e Rrethit Tropojë: Rezulton gjithashtu nga të dhënat individuale të gjyqtarëve se pjesa dërrmuese e çështjeve të gjykuara nga Apeli Shkodër janë lënë në fuqi, por shifrat janë të ulëta dhe kjo për shkak të ngarkesës së vetë gjykatës (p.sh. bëhet fjalë për 17 gjykime në çështje penale themeli apo 11 gjykime të kërkesave penale).

Në Gjykatën e Rrethit Shkodër: Në penale: janë ankimuar pothuaj ½ e çështjeve të gjykuara (nga 249 çështje të përfunduara, janë ankimuar 152 vendime) dhe rezulton se janë lënë në fuqi 80% e vendimeve të Shkallës së Parë. Në civile: janë ankimuar vetëm 11% e çështjeve të gjykuara dhe rezulton se pothuaj 70% janë lënë në fuqi.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›