PS: Të enjten në Kuvend nëse Berisha pranon vendimin e Venecias
Pas ndërhyrjes së Svobodës, Rama bën lëshimet e para duke iu afruar zgjidhjes së krizës
Albert Gjoka
Partia Socialiste është e gatshme që të hyjë në Kuvend që ditën e nesërme nëse maxhoranca respekton vendimin e Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e hapjes ose jo të kutive të votimit. Ky është lëshimi më i fundit që ka bërë dje kryesocialisti Edi Rama, pas bisedimeve me nënkryetarin e grupit socialist në Parlamentin e Europës. Burime në selinë rozë i bënë të ditur gazetës “Albania” se PS-ja ka gati planin më të fundit, i cili pritet të negociohet me zotin Berisha. Sipas tyre, opozita ka përgatitur një projektligj për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, i cili është gati për t’u dorëzuar në Kuvend ditën që do të hyjnë deputetët socialistë në Kuvend. Në njërën prej pikave është edhe hapja e kutive, për ligjshmërinë e së cilës do të pritet fjala e ekspertëve të Komisionit të Venecias. Rama ka kërkuar garanci nga Këshilli i Europës që kundërshtari i tij politik, zoti Berisha, të respektojë verdiktin që do të thotë grupi i ekspertëve të Komisionit të Venecias. Kryetari i PS-së ka kërkuar ndihmën e Strasburgut që ekspertiza për ligjshmërinë e hapjes së kutive të bëhet në një kohë sa më të shkurtër të mundshme.
Zgjidhja nga Venecia!
Përderisa Rama nuk arriti në një marrëveshje me Berishën për hapjen e kutive të votimit, me gjithë negociatat e drejtpërdrejta 10-ditore në zyrën e presidentit Topi, si dhe me praninë e Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës, garancitë dhe ligjshmëria e zgjidhjes kërkohet të vijë nga Komisioni i Venecias. Struktura e ekspertëve që varet nga Këshilli i Europës është parë si institucioni që do të thotë fjalën e fundit për ligjshmërinë ose jo të kërkesës së vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive. Partia Socialiste ka rënë dakord që të pranojë fjalën e fundit të saj, por ajo ka kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe maxhoranca. Gjatë bisedimeve 2-ditore me Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kryesocialisti Rama ka pranuar që të ndërpresë bojkotin me këtë kusht, duke kërkuar nga anëtarët e Delegacioni që të përshpejtojnë në kohë dhënien e vendimit nga Komisioni i Venecias. “Nëse zoti Berisha pranon të zbatojë rekomandimet që do të dalin nga ekspertiza e Komisionit të Venecias, atëherë ne hyjmë në Parlament që ditën e enjte”, - mësohet të jetë shprehur kryetari i PS-së dje pasdite.
Svoboda dhe propozimi
Pikërisht në momentin kur u duk se axhenda e Delegacionit të Strasburgut po përfundonte pa ndonjë rezultat konkret, dje pasdite gjërat kanë marrë një rrjedhë tjetër. Futja në lojë e europarlamentarit Hans Svoboda, i cili është nënkryetar i Grupit Socialist, dhe bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit shqiptarë të familjes së tij politike në Shqipëri, kanë përvijuar konturet e mundshme të arritjes së marrëveshjes. Gatë takimit të djeshëm me kreun e opozitës, Edi Rama, Svoboda deklaroi se hapja e kutive është mënyra më e mirë për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve. Ai shtoi se anëtarët e Këshillit të Europës e mbështesin luftën e opozitës për transparencë dhe nuk përjashtojnë hapjen e kutive. Përfaqësuesi i së majtës europiane në PE theksoi se është e logjikshme që Partia Socialiste të kthehet në Parlament, por ajo duhet të vazhdojë luftën e saj për transparencë. Ndërsa Rama u shpreh se nuk e negocion transparencën, por është i gatshëm që të dëgjojë çdo ide dhe sugjerim, aq më tepër kur këto vijnë nga miq dhe partnerë të mirë që, sipas tij, janë rreshtuar krah për krah me opozitën. Pikërisht në këto bisedime, kreu i PS-së theksoi se Këshilli i Europës mund t’i drejtohet vetë Komisionit të Venecias për të pasur ai vetë një pamje më të qartë për çështjen. Edhe Svoboda tha se drejtimi në Komisionin e Venecias mbetet rruga e duhur për të zgjidhur çështjen e hapjes së kutive. “Parlamenti i Asamblesë së KiE-së të kërkojnë në Komisionin e Venecias që të ofrojë ekspertizën e saj për ligjshmërinë e hapjes së kutive. Për këtë nuk duhet pritur muaj të tërë, por për ta bërë këtë çështje mjaft urgjente. Besoj se dhe qeveria do të jetë bashkëpunuese për të sqaruar legjitimitetin e zgjedhjeve”, - u shpreh Svoboda.
Për Rezolutën e KiE-së, Svoboda është shprehur se nuk është fundi i lojës. Nga ana tjetër, ai ka injoruar deklaratat e maxhorancës se kutitë nuk mund të hapen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Gjykatat nuk janë mbi ligjin. Gjykatat nuk kanë thënë që nuk lejohet hapja e kutive”, - theksoi Svoboda.
Edhe përfaqësuesit e KiE-së kanë kërkuar nga opozita që të hyjë në Kuvend, për të nisur betejën e saj institucionale për transparencën e votës. Ndonëse ata kanë dhënë parashikime jo shumë optimiste për tolerimet që mund të bëjë maxhoranca, kanë ofruar mbështetje për PS-në në realizimin e kërkesave ligjore në procesin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Qëndrimi i zotit Rama dje pasdite shënoi edhe lëshimin e parë të opozitës dhe afrimin drejt zgjidhjes së krizës. Por tashmë gjithçka është në dorën e maxhorancës dhe të zotit Berisha, nëse do të pranojë të zbatojë rekomandimet që do të vijnë nga Komisioni i Venecias. Ky komision deri tani ka bërë një sërë interpretimesh për paketat ligjore të miratuara nga kjo maxhorancë gjatë viteve të fundit, si ai i imunitetit, i ashtuquajturi Ligji i Lustracionit, ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008 apo edhe ligje të tjera. Në jo pak raste, kjo maxhorancë e ka humbur betejën për të mbrojtur nismat e saj ligjore në Komisionin e Venecias.
Projektligji i Partisë Socialiste
Tashmë, Partia Socialiste e ka gati projektligjin që pritet të dorëzojë në Kuvend ditën e enjte, nëse do të arrihet kompromisi mes Ramës dhe Berishës. Në draftin e përgatitur nga ekspertët e kësaj force politike janë parashtruar të gjitha pikat që kanë të bëjnë me realizimin në mënyrë të pakushtëzuar të transparencës së procesit zgjedhor. Ashtu siç e ka premtuar edhe kryetari i maxhorancës, PS-ja do të marrë kryesimin e komisionit hetimor parlamentar dhe do të ketë shumicën e anëtarëve me të drejtë vote. Përveç pikës për hapjen e kutive, janë parashikuar edhe hetimet për zyrtarët e lartë të shtetit që kanë dhunuar fushatën dhe ditën e zgjedhjeve, heqjen nga detyrat në administratën e shtetit të të gjithë personave që kanë mbështetur opozitën, lirimin e personave të dënuar gjatë ditëve të fushatës dhe me 28 qershor. Po ashtu, pjesë e saj është edhe kërkesa për zbardhjen e vrasësve të deputetit socialist Fatmir Xhindi.
24 Shkurt 2010