Rishpërndarja e bonove të privatizimit, Financat mbajnë “peng” udhëzimin
Rishpërndarja e bonove të privatizimit që janë depozituar në kompaninë “Anglo Adriatika” kanë mbetur pezull të udhëzimit të Ministrisë së Financave. Ndryshimet e fundit që i janë bërë ligjit të legalizimeve për përdorimin e bonove të privatizimit nga ana e qytetarëve për pagesën e objekteve që do të legalizohen ka detyruar MF-në që të pres daljen e këtij ligji në Fletoren Zyrtare në mënyrë që të vijojë nxjerrjen e udhëzimit. Ky udhëzim do të përcaktojë mënyrën e rishpërndarjes së bonove. Sipas ligjit, do të shpërndahen vetëm bonot që janë te “Anglo-Adriatika”, pasi sipas saj bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Pavarësisht se udhëzimi duhej të miratohej pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare ende nuk ka asnjë afat konkret nga ana e MF-së. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, ‘Për fondet e investimeve’, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”,- thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua dhe si pasojë edhe vlera e tyre në treg ra ndjeshëm duke arritur në 4 për qind.
24 Shkurt 2010