Spahiu letër Topallit: Më lejoni të flasë në Kuvend

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu I ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ku i ka kërkuar kësaj të fundit t`i japë të drejtën për të folur në seancën plenare të Kuvendit.
Ndërsa ka kujtuar largimin e tij nga komisioni i ligjeve me urdhër të kryetarit Ilir Rusmajli, Spahiu ka theksuar se komisioni i ligjeve i ka mohuar të drejtën e fjalës prandaj ai duhet të flasë në seancën plenare përpara se Kuvendi të japë një vendim për nisjen e procedurës së shkarkimit të tij.
Sipas tij Kuvendi ka detyrim kushtetues që të dëgjojë argumentat e tij, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt ligjor ndaj tij.
Ndërkohë sot pritet që Kuvendi të miratojë ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Deputetët e opozitës janë shprehur kundër ngritjes së komisionit parlamentar hetimor ndërsa mazhoranca është shprehur e bindur se nënkryetari i KLD-së ka shkelur Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar votën e të gjithë deputetëve për ngritjen e komisionit.
Maxhoranca në kërkesën e saj argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cënuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor. Nisma e maxhorancës, një javë më parë është kundërshtuar nga nënkryetari i KLD-së, e cila sipas tij nuk ka asnjë mbështetje kushtetuese.