E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu, në Durrës: Ndëshkoni korrupsionin

Kujdes me zbatueshmërinë
e dy standardeve në gjykime
të ngjashme! Ky ka
qenë paralajmërimi i zëvendëskryetarit
të KLD-së, Kreshnik
Spahiu, ndërsa ka marrë pjesë
në analizën vjetore të Gjykatës
së Rrethit Gjyqësor dhe Gjykatës
së Apelit Durrës. Duke e vlerësuar
Durrësin si një nga rajonet me
koeficientin më të lartë të krimit
në vend në raport me popullsinë
që ka, Spahiu tha se imazhi i
gjyqësorit është cenuar dhe se
ryshfetet vazhdojnë të mbeten
një problem për të.
Pozicioni gjeografik
dhe zhvillimet e viteve
të fundit e kanë
bërë Durrësin të ketë
specifikat e tij, ku krimi
i organizuar zë një
vend të rëndësishëm
përbri krimeve të tjera.
Spahiu tha se prania e portit,
doganës etj., e bën këtë zonë tejet
të ngarkuar në çështje penale që
lidhen me trafikimin e qenieve
njerëzore, lëndëve
narkotike, kalimi i
paligjshëm i kufijve,
falsifikimit të dokumentacionit,
po dhe
natyrës së vrasjeve.
Ai kërkoi vëmendje
në çështjet që lidhen
me doganën, korrupsionin
dhe ato të pronësisë,
duke e vënë theksin dhe në
zbatimin e parimeve universale
të të drejtave të njeriut, si dhe
kryerjen e gjykimeve të hapura.
Vjet në Durrës janë gjykuar 14
çështje për shpërdorim detyre,
ndërsa janë në proces 3 raste
për korrupsion. Duke kërkuar
thyerjen e zhvillimit të analizave
rutinë, numri dy i KLD-së
ftoi gjyqtarët dhe prokurorët të
sjellin shqetësimet e tyre dhe
përcolli historinë e një vendimi
të Gjykatës së Apelit Gjirokastër
që vendimin e Faktit të Sarandës
për refuzim të ndryshimit të
nënshtetësisë së dy vëllezërve
e konverton në qëndrime të
ndryshme. Njërit pranon t‘ia
heqë shtetësinë shqiptare për
të marrë atë greke, ndërsa tjetrit
ia refuzon. Paradoksialiteti i
vendimeve të tilla në gjyqësorin
shqiptar është i njohur prandaj
gjyqtarët u ftuan të jenë të kujdesshëm
në cilësinë e arsyetimit
të vendimeve të tyre. Raportet
e punës vjetore u mbajtën nga
kryetarët e gjykatave të faktit
dhe apelit, përkatësisht nga
Ervin Metalla dhe Petrit Çeno.
Gjykimet maratonë dhe faktorët
që ndikojnë në to ka qenë një
tjetër ndalesë në analizë. Sipas
Metallës, shpejtësia cenohet nga
shërbimi jo i mirë postar dhe
mungesa e adresave; shtyrja e
qëllimshme e seancave nga palët;
karshillëku i institucioneve për
të vënë në dispozicion prova që
i zotërojnë etj. Në jo pak raste ka
pasur cenim të vendimeve për
pavlefshmëri të njoftimit të të
pandehurit. Ndërkaq, roli negativ
i avokatëve në shtyrjen e seancave
është prekur rishtas duke u
konsideruar shpesh i qëllimshëm
dhe në dëm të procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›