E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutja e ligjit "antimafie", ja gjyqtarët pro dhe kundër

Kuvendi i Republikës së
Shqipërisë është institucioni
i vetëm kushtetues
që mund të miratojë, me
propozim të Ministrisë së Drejtësisë,
ligjin "Antimafie", me të
gjitha ndryshimet e nevojshme,
që i shërbejnë goditjes së krimit
të organizuar. Nëse prokurorët
kanë pakënaqësi ndaj vendimit
unifikues të Gjykatës së Lartë,
Ministria e Drejtësisë harton një
projektligj dhe ia dorëzon Parlamentit.
Është ky institucion që
vendos nëse do të bëhen apo jo
ndryshimet përkatëse, me qëllim
rikuperimin e problemeve gjatë
goditjes së krimit të organizuar,
më saktësisht në hetimet paraprake
për verifikimin e pasurisë
ndaj organizatave kriminale.
Vendimi unifikues prek një pjesë
të mirë të proceseve hetimore
që ndodhen në Prokurorinë
e Krimeve të Rënda. Sipas tij,
nëse një person është arrestuar
për trafik droge në vitin 2007,
verifikimi i pasurisë fillon pas
atij momenti. Pra, sekuestrohet
lënda narkotike dhe më pas
kryhen të gjitha verifikimet e pasurisë.
Prokurorët e interpretojnë
vendimin unifikues të Gjykatës
së Lartë se ligji "Antimafie" i miratuar
në vitin 2004 nuk mund
të gjejë zbatim në një procedim
penal të vitit 2000, për shembull.
Para ndryshimeve të Gjykatës së
Lartë, nëse gjatë vitit 2005 ishte
regjistruar një procedim penal,
ndaj personit të hetuar verifikohej
edhe pasuria e ngritur prej tij
në vitin 2000. Tashmë, sipas këtij
vendimi, një gjë e tillë nuk mund
të ndodhë, pasi ligji nuk ka fuqi
prapavepruese. Gjithsesi, nëse ka
probleme të tilla, është Ministria
e Drejtësisë organi kompetent
për hartimin e një ligji të ri. Por,
edhe në këtë rast, ligji mund të
bëhet për të pandehurit, pasi të
gjitha veprimet për verifikimin
e pasurisë para miratimit të ligjit
rrëzohen, pasi ai nuk do ketë fuqi
prapavepruese.
Shumica
Gazeta "Shqip", prej dy ditësh
ka publikuar një vendim unifikues
të Gjykatës së Lartë për
ndryshimet në ligjin "Antimafie",
i cili është interpretuar ndryshe
nga disa prokurorë dhe ndryshe
nga disa gjyqtarë. Zyrtarisht, Prokuroria
e Krimeve të Rënda nuk
ka reaguar ndaj këtij vendimi,
ndërsa pohon se ajo flet vetëm në
gjuhën e ligjit. Megjithatë, "debate"
dhe mendime ndryshe kanë
pasur edhe anëtarët e Kolegjit të
Bashkuar në Gjykatës së Lartë, që
kanë votuar për këto ndryshime.
Votimi ka përfunduar 7 vota pro
dhe 6 kundër ndryshimeve. Pra,
vetëm një votë ka ndryshuar ligjin
"Antimafie". Shumica mendon se
"masat parandaluese pasurore
të parashikuara nga ky ligj (ligji
antimafie), në parim, mund të
gjejnë zbatim, pasi ka filluar
një procedim penal, ashtu edhe
pas përfundimit të tij". Ndërsa
më pas argumentojnë të gjitha
ndryshimet.
Pakica
Ndërsa pakica mendon se
lënia në vlerësim të organit të
akuzës që në rastet analoge,
për të cilat ka filluar një çështje
penale, të kërkojë sekuestrimin
e pasurisë së të pandehurit apo
personit nën hetim që të aplikojë
dispozitat e K.Pr.Penale
apo dispozitat e Ligjit nr.9284,
datë 30.09.2004, "mendojmë se
është shumë e rrezikshme dhe i
hap rrugën një subjektivizmi me
pasojë të drejtpërdrejtë diskriminimi
dhe vendosje në pozita
të pabarabarta të subjekteve të
njëjta procedurale, duke shkelur
parimin themelor të ndjekjes
penale dhe të drejtat dhe liritë
procedurale e Kushtetuese, për
personat që dyshohen të kenë
kryer vepra penale". Gjithashtu,
pakica ka mendimin se në eventualitetin
që Kodi i Procedurës
Penale dhe ligji "Antimafie",
(aplikohen së bashku), sikurse
praktikisht kanë vendosur dhe
unifikuar praktikën gjyqësore edhe Kolegjet e Bashkuara,
duke qenë se dispozitat e këtij
ligji rëndojnë dukshëm pozitën
e të pandehurit që dyshohet të
jetë pjesëmarrës në një krim të
organizuar, duhet vlerësuar paraprakisht
kushtetueshmëria e
ligjit dhe çështja i duhej referuar
Gjykatës Kushtetuese. Pra, ata
gjyqtarë që kanë votuar kundër
kanë qenë edhe më radikalë për
ndryshimin e ligjit "Antimafia"
për sa u përket sekuestrimeve të
organizatave kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›