Spanja: Tërheqja nga Kosova, vetëm në marrëveshje me NATO-n

Spanja ka rënë dakort t'i tërheqë trupat e saj nga Kosova në marrëveshje me vendet të tjera anëtare të NATO-s, ka bërë të ditur zëdhënësja e Aleancës Veri-Atlantike, Carmen Romero. "Të dyja palët kanë rënë dakort që kthimi i trupave të bëhet në mënyrë të koordinuar, progresive dhe fleksibile", ka deklaruar Romero pas takimit që ka zhvilluar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, me ministren e Mbrojtjes së Spanjës, Carme Chacon, në Bruksel. "Procesi i konsultimeve të brendshme, ushtarake dhe politike pritet të vazhdojë brenda NATO-s", ka thënë Romero. Megjithatë, ajo nuk ishte në gjendje të tregonte nëse Spanja tashmë ka përcaktuar datat kur do të fillojë tërheqjen e trupave të saj nga Kosova. Për shkak të këtij vendimi, Spanja është gjetur në mes të kritikave të NATO-s si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe analistët politikë të Spanjës e kanë quajtur një gabim të madh vendimin e qeverisë spanjolle, duke ia përkujtuar Spanjës se Kosova është një çështje evropiane