Shpërthim në Athinë, s'ka viktima

Një bombë shpërtheu sot në mëngjes para një ndërtese ku gjendeshin zyrat e një kompanie detare në Keratsini, një lagje e populluar në portin e Pireut, pranë Athinës duke shkaktuar dëme materiale, bëri të ditur një burim policor. Shpërthimi ndodhi në orën 04:10 dhe u cilësua si një shpërthim i fortë nga policia. Si pasojë e këtij shpërthimi u thyen xhamat e disa apartamenteve dhe dhjetra veturave të lagjes. Lënda plasëse ishte vendosur në hyrje të ndërtesës. Aktet e dhunës dhe atentatet janë shumëfishuar në Athinë që nga vdekja në muajin dhjetor 2008 të një adoleshenti, i cili u vra nga një polic në lagjen Exarchia, në qendër të kryeqytetit grek.