E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja: Vizat me BE-në hiqen brenda vitit 2010

TIRANE-Heqja e regjimit të vizave ‘Shengen’ për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën do të mundësohet në fund të vitit 2010. Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian shprehu besimin se BE do të heqë regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë dhe ata në Bosnje- Hercegovinë brenda këtij viti. Një vendim i tillë do të merret gjatë presidencës belge të BE-së”. Deklaratën e ka bërë ministri i Brendshëm spanjoll, Alfredo Perez Rubalkaba, sipas të cilit, të dyja vendet duhet të shtojnë përpjekjet për të plotësuar kërkesat e BE-së. Komisioni Europian rekomandoi pak ditë më parë liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, por Parlamenti Europian shtyu miratimin e këtij vendimi për në qershor. Siç thekson deklarata e presidencës spanjolle, dy vendet duhet ende të bindin shtetet anëtare të Bashkimit Europian se përmbushin kriteret për të udhëtuar lirshëm në zonën ‘Shengen’. “Ne shpresojmë se ato do t’i përmbushin obligimet brenda vjeshtës”, - tha Rubalkaba pas takimit të mbrëmshëm me homologët e tij europianë në Luksemburg. “U kemi kërkuar atyre të bëjnë më shumë përpjekje për të siguruar që do të jenë gati” - shtoi ministri, i cituar nga mediat spanjolle.

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian, rekomandoi muajin e kaluar udhëtimin pa viza të qytetarëve shqiptarë dhe boshnjakë. Komisioni Evropian e konsideron çështjen e heqjes së vizave si një ‘gur themeli’ të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, komisionerja për çështjen e Sigurisë në Komisionin Evropian, Sesilia Malmstrom bëri të ditur se deri në marrjen e një vendimi përfundimtar është vendosur plotësimi i tri kushteve. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, zbatimi i ligjit anti-mafia dhe përgatitja e një strategjie për riatdhesimin e personave, janë kushtet e reja të BE-së për Shqipërinë.

Në verë të këtij viti pritet të vijë grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, për të parë nga afër plotësimin e kushteve të reja, të vendosura për procesin e liberalizimit të vizave. Pas inspektimeve në terren pritet që të hartohet një raport dhe t’i paraqitet ministrave të Brendshëm të vendeve të BE-së. Parlamenti Evropian dhe të 27 vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë politikën e re.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian pranoi kërkesat për heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›