Spanja në Afrikë pa Fernando Torres?
Rafael Benitez e ka frikësuar Spanjën, kur tha se “El Nino” mund t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndoshta nuk do ta ketë në dispozicion për pjesën përfundimtare të sezonit sulmuesin kryesor Fernando Torres, pasi ky i fundit mund të operohet në gju. Torres nuk ka arritur të shkojë te mjeku i tij personal në Barcelonë, për shkak të mbylljes së aeroporteve, por sipas stafit mjekësor të Liverpulit, Torresit i duhet një operacion. Nëse spanjolli do të operohet, përveçse do të mungonte në ndeshjet e Liverpulit në Premier Ligë dhe Europa League, do të mungonte edhe në Botëror. “Ne nuk jemi të sigurt nëse ai do të luajë përsëri këtë sezon. Ai duhet të kontrollohet nga specialisti në Barcelonë dhe më pas do të na tregojë nëse nevojitet një operacion dhe kur do të rikthehet përsëri”, ka thënë Benitez për “The Mirror”. është spekuluar se Torres do të mund të luante të hënën ndaj Uest Hemit, por tani ekziston frika se ai do të mund të mungojë disa muaj.
#