E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja në lot, Zvicra në delir

Zvicra shkaktoi surprizën më të madhe në 16 ndeshjet e para të Kampionatit Botëror, duke mundur 1-0 Spanjën në prani edhe të presidentit të FIFA-s, Jozef Blater, edhe pse kampionia në fuqi e Europës e kontrolli totalisht lojën (63%), ekzekutoi 11 goditje nga këndi dhe gjuajti 23 herë drejt portës, por pa mundur të shënojë. E konsideruar gjerësisht si favoritja kryesore për të fituar Kupën e Botës, për më tepër që kishte fituar miqësore e fundit 6-0 me Poloninë, Spanja, skuadra më e shtrenjtë ndër 32 finalistet, pësoi të njëjtin shok si në Kupën e fundit të Konfederatave, kur pësoi humbjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trajneri i Spanjës, Vinsente Del Boske: “Tani jemi të detyruar t’i fitojmë dy ndeshjet e mbetura”. Dominim absolut i Spanjës, me një superioritet absolut në zotërimin e topit dhe në ofensivën sulmuese, por triumfi ishte i rivalit, Zvicrës. Ashtu si vitin e kaluar amerikanët, zviceranët u treguan një skuadër kompakt të ngjeshur dhe shumë të disiplinuar taktikisht, duke shënuar një gol me anë të brazilianit të natyralizuar si zviceran, Gelson Fernandez, produkt edhe i dëmtimit të Pikesë, por dhe lejimit të vazhdimit të lojës nga gjyqtari i ndeshjes. Gjithsesi, përveçe shtyllës së goditur Ksabi Alonso, David Vija, e më pas dhe Fernando Torres e Pedro Rodriguez të paktën duhej të kishin shndëruar në gol një nga 24 goditjet drejt portës. E pritur me padurim nga e gjithë, te Spanja “peshoi” jo pak presioni, por pasat gjenialë të Andies Iniestës nuk mjaftuan që vija e parë e spanjollëve të realizonte golin e shumë dëshiruar, kjo falë edhe kontributit të jashtëzakonshëm të portierit të Zvicrës, Benaljo dhe murit të ndërtuar nga trajneri Otmar Hitcfeld. Zviceranët e kapën dhe një herë tjetër në befasi Spanjën, por vetëm shtylla e shpëtoi skuadrën e Vinsente del Boskes nga një gol i dytë.

SKEDA E NDESHJES
SPANJË-ZVICËR 0-1
Shënues: Fernandes 52’

Spanja: Iker Kazija; Serxho Ramos, Pike, Pujol, Kapdevila, Buskets (61’ Torres), Ksavi, Ksabi Alonso, Silva (61’ Navas), Iniesta (77’ Pedro) dhe Villa. Trajner: Del Boske

Zvicra: Benaljo, Lihtshtajner, Senderos (35 Von Bergen), Grihting, Ciegler; Barneta (92’ Egiman), Inler, Huggel, Gelson Fernandes; Derdiyok (79 ‘ Jakin) dhe Nkufo. Trajner: Hitcfeld

Gjyqtar:Haurad Ueb (Angli)

Del Boske: “Një surprizë e hidhur”

Trajneri i Spanjës, Vinsente Del Boske, e përjetoi hidhur ndeshjen e parë në Kupën e Botës: “Ishte një surprizë shumë e keqe, e kërkuam fort fitoren, por sot (dje) nuk ishte dita jonë”. Në lidhje me gabimet e bëra nga Spanja, Boske tha: “Ishte ndeshja e parë dhe ishte e rëndësishme të fitonim. Bëmë një paraqitje të mirë, por nuk ishte dita jonë. Nuk patëm saktësinë e duhur në metrat e fundit, por megjithatë e dominuam lojën”. Gjithsesi, ende nuk panik në kampin e “La Furia Roja”. “Jemi të detyruar të fitojmë dy ndeshjet që kanë mbetur. Besoj se ky dështim do të na shërbejë për të pasur stimuj të rinj”, - përfundoi trajneri i Spanjës, Vinsente Dek Boske.

Shtypi spanjoll: “Një aksident i rëndë!”

Shtypi spanjoll e përcolli me tone të dyfishta humbjen e Spanjës me Zvicrën (0-1). Gazeta prestigjioze sportive “Marca” e konsideroi atë me një “aksident të rëndë, por ende pa pasoja vdekjeje”. “Patëm supermaci në lojë, por ishin kundërshtarët at që e rrëmbyen fitoren. Tani, vetëm nëse do të fitojmë dy ndeshjet e radhës në grup, do të kalojmë në fazën tjetër”. Spanja do të ndeshet me Hondurasin dhe në fund me Kilin, ky i fundit ndodhet në kuotën e tri pikëve pas fitores 1-0 me hondurianët. “El Mundo Deportivo”, me qendër në Barcelonë, theksonte debutimin dëshpërues të kampiones së Europës dhe një prej favoritëve më të mëdha për të fituar Botërorin. “Megjithëse zhvilluam një lojë të madhe, veçanërisht në pjesën e parë, pësuam një gol nga Zvicra atëherë kur askush nuk e priste”. Spanja nuk tregoi durimin e duhur për të gatuar golin, edhe pse Del Boske kishte hedhur nga minuta e parë Ksavinë dhe Iniestën, të mbështetur edhe nga Buskets dhe Alonso.

Media zvicerane: “Jeni heronjtë tanë!”

Shënuesi i golit të fitores, Gelson Fernandez, hyri në historinë e Zvicrës. “Kur topi kaloi mbi vijën e portës, ishte një super momentt për mua. Ne luajtëm mirë si ekip dhe ishum shumë solidë. Jam shumë i lumtur për vendin dhe ekipin”. Fanella e dytë e rëndë e mbrëmjes së paharrueshme kundër Spanjës quhet Diego Benaljo. Portieri i Kombëtares zvicerane qëndroi asbolutisht i ftohtë në portë: “Ne dhamë gjithçka tonën nga minuta e parë dhe deri në fund të lojës. Unë nuk isha aspak nervoz, e shijova shumë lojën. Shkoi gjithçka mirë. Edhe shtylla ishte me mua në goditjen e Ksabi Alonsos”.

Hitcfeld, i sinqertë: “Nuk i prisja tri pikët”

Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfel, analizoi lojën: “Ishte shumë e rëndësishme që ta fillonim pozitivisht turneun. Ishin tri pikë që nuk i prisnim. Kundër Kilit nda pret një ndeshje dhe detyrë akoma edhe më e vështirë. Unë kisha një ndjenjë të mirë para lojës. E ndjeja, që ekipi ishte i përqendruar për takimin. Ne nuk ishim shumë të hapur, por në mesfushë ishim shumë kompakt”. Në lidhje me dëmtimin e Senderosit, trajneri Hitcfeld tha: “Një diagnozë të qartë për Senderoson do të japim nesër (sot) në mëngjes. Nuk duket dhe aq mirë, por në shpresojmë që ai të vazhdojë turneun”. Trankuilo Barneta tha: “Ne u treguam kritikëve tanë se mund të realizojmë gjëra të mëdha”.

Fitime stratosferike të kompanive

Pesë ditë pritën fansat e gjithë botës për të parë Spanjën, pro që për fat të keq i zhgënjeu, ndërkohë që mediat botërore flasin për fitimi të mëdha të kompanive të basteve, pasi u vendosën shumë të jashtëzakonshme për fitoren e pritshme të kampiones së Europës, kjo edhe për faktin se te Zvicra mungonte lojtari më i mirë i saj, sulmuesi Aleksandër Frei. Në fakt, përpara ndeshjes Hitcfeld kishte paralajmëruar indirekt humbjen e ekipit të tij, Zvicrës. “Spanja është formacioni i shekullit, me ekipin më të mirë në botë. Më e fortë edhe se Brazili”. Në fakt, Spanja e zotëroi topin deri në 80 për qind, por fituesi ishte Zvicra, falë golit të Gelson Fernandesit.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Enjte, 17 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›