E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja “shtrëngon rripin”

Spanja është në gjendje të përballojë detyrimet e saj për shkak të borxheve dhe qeveria nuk do ta ndryshojë planin e saj prej 15 miliardë eurosh për shkurtimin e shpenzimeve për shkak të trysnisë së ushtruar nga sindikatat.

Kështu deklaroi kryeministri i Spanjës, Josè Luis Rodiguez Zapatero. “Askush nuk mund ta vërë në dyshim se Spanja është një vend i fortë dhe një fuqi ekonomike që do të përballojë detyrimet e saj dhe do të paguajë borxhet”, u tha Zapatero anëtarëve të Partisë së tij Socialiste në Elche, në juglindje të Spanjës.

Me krizën e borxheve të Greqisë që po trondit tregjet botërore, Zapatero është nën trysni për të paraqitur planin për shkurtimin e shpenzimeve publike, si dhe për t’u dhënë “Ok” reformave të gjata e të shumëpritura të punës, për të evituar që në Spanjë të ndodhë një humbje besimi e ngjashme me atë të Greqisë.

Kreu i sindikatës më të madhe spanjolle përsëriti se mund të thërrasë një grevë të përgjithshme kundër shkurtimeve që i konsideron të panevojshme dhe të padrejta.

Nga ana tjetër, kryeministri Zapatero theksoi se i respekton sindikatat që kanë lajmëruar një grevë të nëpunësve publikë më 8 qershor, pasi pagat e tyre do të ulen me 5 për qind.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›