Spanja vazhdon luftën kundër zjarreve në Tenerifa

Të paktën 1800 persona u detyruan të braktisnin qytetin Vilaflor ditën e martë, për shkak të zjarreve, që zgjasin që prej ditës së diel.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se flakët kanë përfshirë të paktën 2 mijë hektarë tokë, por për fat të mirë nuk kanë arritur në resorët e njohura turistike.
Banorët në fshatin Chirche u evakuuan gjithashtu ditën e mërkurë, për shkak të tymit të zjarreve, kanë bërë të ditur mediat lokale.
Ndërkohë, flakët raportohet se kanë arritur buzë Parkut Kombëtar të Teidës. Vetë parku nuk është i kërcënuar.
Ndërkohë, një zjarr tjetër në ishullin fqinj të La Palmas, që ka përfshirë rreth 500 hektarë, është vënë nën kontroll nga zjarrfikësit.
Helikopterë janë përdorur për të hedhur ujë mbi zonat e prekura. Spanja është goditur rëndë nga zjarret në pyje, pasi kaloi dimrin më të thatë në 70 vitet e fundit.