Spanje asnje plan europian per shpetimin e bankave

Është shumë e vështirë të vetëfinancohemi në këtë moment për shkak të tensioneve në tregjet financiare. Kështu ka deklaruar në një konferencë për shtyp kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, në ditën kur diferencat mes rendimenteve të bonove qeveritare me bundet gjermane kanë arritur në nivele rekord. Përsa i përket ndërhyrjes së shpëtimit të bankës së katërt më të madhe në Spanjë, Bankia, e cila ka çuar në rrjedhjen e 24 miliardëve euro, kreu i qeverisë sqaroi se kjo ndërhyrje nuk do të ketë asnjë ndikim në deficitin publik.
Nuk do të ketë asnjë plan europian për shpëtimin e bankave spanjolle, ka thënë Rajoy, duke siguruar se nuk do të ketë asnjë ndërhyrje të jashtme për të shpëtuar sistemin bankar.
Kredituesja më e madhe Bankia i ka kërkuar qeverisë mbështjetjen me 19 miliardë euro, përveç 4,5 miliardëve që shteti ka financuar deri tani, për të mbuluar humbjen nga kreditë e këqija të sektorit imobiliar. Kryemisistri spanjoll e ka konfirmuar mbështetjen e tij për Bankia duke diskutuar rreth pasojave që do të rridhnin nëse nuk do t’i jepej një ndihmë e tillë.
“Por më pas kur Bankia të jetë pastruar dhe rikapitalizuar përmes financimeve, duke qenë se është instituti i parë në Spanjë, do të shitet dhe kështu shteti do të rikuperojë investimin e bërë aktualisht. Nuk mund të lejojmë që një institut i madh financiar të jetë në një situatë të tillë pa rrugëzgjidhje, sepse ajo ndikon në ekonominë në tërësi të vendit tonë”, deklaroi kryeministri spanjoll.
Por pavarësisht garancisë që jep qeveria spanjolle investitorët besojnë gjithnjë e më shumë se me bankat janë të brishta, të kërcënuara nga rrëzimi i katër viteve më parë, të një flluske imobiliare përgjatë një dekade, sëbashku edhe me rajonet e zhytura në borxhe, mund ta detyojnë Spanjën të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve.
Rajoy ka thënë gjithashtu se Europa duhet të reagojë me vendosmëri për të shmangur dyshimet për mbijetesën e euros, është i rëndësishëm një integrim më i madh monetar dhe fiskal.
“Problemi është borxhi i akumuluar në këtë moment për ne spanjollët dhe është e vështirë që këtë borxh ta rifinancojmë në këto momente. Pikërisht për këtë këmbëngul dhe duhet të jemi të qartë, energjikë dhe të fortë për të hequr cdo dyshim që mund të ketë mbi ekzistencën e euros. Spanja e mbështet, ashtu sikurse ka bërë edhe më parë, ekzistencën e monedhës europiane dhe mendojmë se është një projekt themelor për të aerdhmen e Europës dhe të vendit tonë”, vlerësoi ai.
Gjatë konferencës për shtyp Rajoy nuk ka sqaruar se sa para do të duhen për të rikuperuar gjendjen e sistemit bankar spanjoll pas shtetëzimit të bankës më të madhe në vend, duke thënë se është në pritje të përfundimit të auditit të jashtëm mbi situatën.