E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanjë, vdes Rosalia Mera, bashkëthemeluesja e markës "Zara"

MADRID- Bashkëthemeluesja e gjigantit spanjoll të tekstileve "Inditex", e njohur edhe si "Zara", Rosalia Mera, njëkohësisht një nga femrat më të pasura në Spanjë sipas shtypit, vdiq dje për shkak të një ataku cerebral në moshën 69 vjeç, njoftuan sot në mëngjes burime spitalore.

"Rosalia Mera vdiq rreth orës 20:30 në spitalin 'San Rafael de La Coruna'", citon më tej burimi.

"Ajo u shtrua në spital pas atakut cerebral që i ndodhi gjatë pushimeve në ishujt Baleare", cituan burime nga shtypi spanjoll.

Rosalia bashkëthemeloi me ish-bashkëshortin e saj, Amancio Ortega grupin "Inditex", që u bë një gjigant i industrisë tekstile me veshjet e markave si "Zara", "Massimo Dutti" dhe "Pull and Bear".

"Ajo u largua nga bordi drejtues i kompanisë në vitin 2004 duke mbajtur rreth 5,05 për qind të kapitalit", citon e përditshmja spanjolle ABC.

"E përshkruar nga revista amerikane "Forbes" si femra më e pasur në botë që krijoi vetë pasurinë e saj, ajo zotëronte 30,6 për qind të rrjetit të hoteleve "Room Mate" dhe një pasuri prej rreth 6,1 miliardë dollarësh, që e bënte gruan më të pasur në Spanjë", citon më tej e përditshmja ABC.
Ajo figuronte në vendin e 66-të të femrave më të fuqishme në botë sipas klasifikimit të revistës amerikane "Forbes" për vitin 2013.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›