E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sparkes: EULEX poshqyrton rastet e tëdyshuarve për korrupsion

PRISHTINE- Zëvendës shefi i misionit EULEX, Andy Sparkes, ka deklaruar se të gjitha rastet e hetimeve të profileve të larta, të dyshuara për përfshirje në korrupsion, janë duke u shqyrtuar dhe i cilësoi ato si të komplikuara që do të marrin kohë për t’u proceduar. Sipas tij, misioni nuk dëshiron që të dështojë në trajtimin e këtyre rasteve dhe ka thënë se ligji duhet të jetë mbizotërues në çdo rast.

“Është një proces që po vazhdon. Vendosja e rendit dhe ligjit në këtë shtet të ri nuk është diçka që mund të arrihet me një shpejtësi prej pesë minutash. Mendoj se puna ku EULEX-i vërtetë po bën ndryshime, nuk është diçka që ju e përshkruat si spektakolare në rastin e hetimeve, ku mediat kanë shfaqur interes, rreth rasteve të profileve të larta”, ka thënë Sparkes.

Ai tha se misioni i BE-së çdo ditë bën vëzhgimin dhe këshillimin e institucioneve kosovare në drejtësi, prokurori, në shërbimet korrektuese, në dogana dhe polici. “Është më e vështirë për ta matur me shprehje dramatike, por unë besoj se ne po arrijmë përparime, por ka edhe lojtarë të tjerë në këtë lojë, përfshirë edhe amerikanët që po kontribuojnë shumë, në veçanti në gjykata dhe drejtësi. Pak nga pak Kosova po shënon përparime dhe ajo ka standarde të përcaktuara në dogana dhe polici që mund të krahasohen edhe me pjesën tjetër të rajonit”, është shprehur Sparkes për BBC-në.

Ish-ambasadori britanik në Prishtinë, Sparkes, ka deklaruar se EULEX-i nuk ka ende të dyshuar konkret për akuzat e ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Por ai tha se misioni ka vënë një komunikim me senatorin Marty dhe ripërsëriti thirrjen për dorëzimin e dëshmive për dyshimet e ngritura në raport. I pyetur nëse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është nën hetime, ambasadori Andy Sparkes nuk ka dashur të jap hollësi të mëdha. “Nuk ka të dyshuar konkret deri tani. Raporti thotë atë që thotë dhe ne do t’i bazojmë pikëpamjet tona në dëshmi”.
(m.a/bbc/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›