E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spastrimet, ikën prokurori i Kalimashit

Reformë e ashpër në Prokurorinë e Përgjithshme, ulen në detyrë 14 prokurorë dhe shkarkohet një tjetër
Ina Rama ndryshon edhe drejtuesit e 6 prokurorive në rrethe. Shmanget vëllai i ministrit Nishani
TIRANË- Një reformë drastike, e ngjashme me spastrimin dhe shumë më e ashpër nga ç'pritej ka përfshirë dje Prokurorinë e Përgjithshme.Dy muaj pas prezantimit "të paqtë" në krye të organit qendror të akuzës, Ina Rama ndryshon kryekëput strategji, duke firmosur transferimin drejt prokurorive të rretheve për 14 drejtorë dhe prokurorë të zyrës së saj, emëruar 6 prokurorë rrethesh dhe shkarkuar një tjetër. Propozimet e Ina Ramës janë dekretuar pasditen e djeshme nga presidenti Bamir Topi, duke i dhënë fund kësisoj "erës" Sollaku në Prokurorinë e Përgjithshme. Harta e transferimeve për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme nis në Shkodër dhe përfundon në Gjirokastër, ndërkohë që mbetet për t'u diskutuar përputhshmëria ligjore që solli uljen në detyrë të 14 prokurorëve, pa u justifikuar me masa disiplinore. Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije për "Shekullin" se ligji e njeh uljen në detyrë, vetëm në rastet kur ajo shoqërohet me masë disiplinore, fakt ky që nuk është respektuar në asnjërin prej transferimeve.
***
Në pamje të parë, reforma "Rama" duket se ka pasur dy qëllime: të largojë një numër të madh bashkëpunëtorësh të ish-kryeprokurorit Sollaku nga Prokuroria e Përgjithshme si dhe të zëvendësojë me drejtues të rinj, prokuroritë e rretheve kryesore. Në listën e gjatë të ndryshimeve gjen një numër të madh prokurorësh, që punonin në organin qendror të akuzës që prej kohës kur ky institucion drejtohej prej Arben Rakipit. Megjithatë, eksperienca e gjatë dhe çështjet me rëndësi që ata kanë pasur ndër duar,nuk e kanë bindur Ina Ramën për t'i mbajtur në stafin e saj të ngushtë. Njëri prej tyre, Xhevat Hana, aktualisht kishte në dorë dosjen e shumëdiskutuar të rrugës Rrëshen-Kalimash, dosje kjo e mbetur pezull mbi tavolinën e punës së Ina Ramës si dhe atë të zhdukjes së tregtarit Remzi Hoxha, krim për të cilin është akuzuar SHIK-u.
***
Një tjetër surprizë në morinë e ndryshimeve ka qenë emërimi i Arjan Ndojës, deri dje avokat, në krye të Prokurorisë së Durrësit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije mbrëmë se megjithëse Këshilli i organit qendror të akuzës kishte zgjedhur me 3 vota pro dhe 2 kundër për këtë post vëllanë e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, ende nuk është e qartë sesi emri i tij është hequr nga lista në momentin e fundit dhe është zëvendësuar me atë të Arjan Ndojës. Ulje-ngritjet në karrierë të Ndojës janë bërë objekt diskutimesh dje mes prokurorësh, edhe për faktin se vite më parë u shkarkua si prokuror, për të ushtruar përkohësisht profesionin e avokatit.Të prekur nga vala e ndryshimeve janë edhe 6 drejtuesit e prokurorive në rrethet kryesore, të cilët dje janë zëvendësuar nga të rinj prokurorë. Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri dhe Elbasani do të drejtohen që sot e tutje nga të emëruarit prej kryeprokurores Ina Rama, duke zëvendësuar në këto detyra emra të njohur si Vehxhi Muçmata apo Petrit Çano.Nga ana e saj, kryeprokurorja Ina Rama nuk ka bërë asnjë koment për valën e ndryshimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Zyra e saj e shtypit ka shpërndarë një njoftim, me anën e së cilit komunikonte lëvizjet, por nuk shpjegonte arsyet e kësaj reforme tërësore në organin qendror të akuzës
TRANSFERIMET
Saliko HAJNO, prokuror pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, transferohet në Prokurorinë e Apelit Shkodër
Aleksander GOGA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë
Valentina AHMETAJ, transferohet prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Mihallaq BLETA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Lezhë
Ylli BASHA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Lushnjë
Ardian VISHA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Gjirokastër
Zamira GJEBERO, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Artan LULAJ, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Për Krime të Rënda
Shkëlqim KOKONA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Ylli BEDALLI, transferohet prokuror në Prokurorinë Për Krime të Rënda
Stiliano BANDILLI, transferohet prokuror në Prokurorinë e Apelit Ushtarak
Haxhi GIU, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë
Xhevat HANA, transferohet prokuror në Prokurorinë Për Krime të Rënda
Ledina RIZA, transferohet prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Drejtuesit e prokurorive
Genti Xholi, prokuror ne Prokurorine prane Gjykates se rrethit gjyqesor Tirane caktohet me detyren e drejtuesit te kesaj prokurorie.
Arian Ndoja, prokuror ne prokurorine prane Gjykates se rrethit gjyqesor Durres, caktohet me detyren e drejtuesit te kesaj prokurorie.
Sokol Malaj, prokuror ne prokurorine prane Gjykates se rrethit gjyqesor Vlore, caktohet me detyren e drejtuesit te kesaj prokurorie.
Perparim Kulluri, prokuror ne prokurorine prane Gjykates se rrethit gjyqesor Shkoder, caktohet me detyren e drejtuesit te kesaj prokurorie.
Elvin Gokaj, prokuror ne prokurorine prane gjykates se rrethit gjyqesor Elbasan, caktohet me detyren e drejtuesit te kesaj prokurorie.
Altin Binaj, prokuror ne prokurorine prane gjykates se rrethit gjyqesor Fier, caktohet me detyren e Drejtuesit te kesaj prokurorie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›