E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Nuk ka dy rryma në PS

"S'mendoj se ka dy rryma. Rryma duhet menduar jo tek këndvështrimet e ndryshme që kanë aktorë dhe faktorë politikë brenda një partie"
"Mendimi dhe konkluzioni im, është që e gjithë mënyra e të bërit politikë në Shqipëri është e vjetër"
TIRANË- Zërat kundër linjës zyrtare në Partinë Socialiste nuk mund të konsiderohen një rrymë më vete. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Socialistëve, Gramoz Ruçi ka mohuar dje që brenda Partisë Socialiste të ketë një grupim politik që vepron paralelisht me strukturat zyrtare të partisë. "Nuk mendoj se ka dy rryma. Rryma duhet menduar jo tek këndvështrimet e ndryshme që kanë aktorë dhe faktorë politikë brenda një partie", - u shpreh Ruçi. Duke analizuar marrëdhëniet brenda gjirit të socialistëve, ish-numri dy i socialistëve ka theksuar se oponenca e individëve të veçantë për vendime të ndryshme të forumeve të larta partiake, është normale për një parti e cila e konsideron demokracinë e brendshme si parësore. Kjo, sipas tij, nuk duhet të interpretohet si një grupim politik brenda PS-së, pasi askush prej tyre nuk ka paraqitur një platformë, që të kundërshtojë statutin apo platformën zyrtare të PS-së. "Por, unë do të mendoja në qoftë se ato do të kishin vizione të ndryshme, lidhur me dy çështje themelore, siç është programi elektoral i një partie, programi qeverisës i një partie, programi politik i një partie apo rregullat e brendshme të një partie. Deri më sot, nuk ka asnjë grupim dhe asnjë individ, të cilët të kenë një platformë që të kundërshtojnë rregullat e brendshme të kësaj partie, të kundërshtojnë programin politik të kësaj partie, përpjekjet që po bëhen për programin elektoral të kësaj partie apo nesër programin qeverisës. Në qoftë se do të kishte një platformë të kësaj natyre, atëherë mund të flisnim për grupacione të ndryshme brenda subjektit tonë politik që vlen për t'u diskutuar", - u shpreh Ruçi. Ndërsa duke folur në lidhje me atë që shpeshherë drejtuesit e lartë të PS-së e kanë konsideruar si politikë e vjetër, kreu i Asamblesë ka theksuar se, kjo emërtesë nuk ka të bëjë me emra të veçantë, por me filozofinë e të bërit politikë. Në këtë mënyrë, ai ka shmangur një koment nëse edhe ish-kryesocialisti Fatos Nano bënë pjesë tek politika e vjetër. "Nuk dua të nënvizoj emra të përveçëm. Mendimi dhe konkluzioni im, është që e gjithë mënyra e të bërit politikë në Shqipëri është e vjetër", - tha Ruçi. Duke iu rikthyer edhe njëherë debatit se cili duhet të jetë Kryeministër i vendit nëse e Majta do të fitojë zgjedhjet në vitin 2009, Ruçi ka ritheksuar se i përket Partisë Socialiste, si forca më e madhe politike e së majtës, që të vendosë për këtë çështje. "Betejat elektorale tashmë, në Shqipëri, në këto 17 vjet besoj që e kanë marrë përgjigjen e tyre që në pushtete do të jetë, nga e djathta, Partia Demokratike dhe nga e majta Partia Socialiste, dhe këto duhet të shpalosin përgjegjësitë e tyre",- theksoi kreu i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi. Ndërkohë ai ka vlerësuar si tepër pozitivë turin e "Dialogut me Shqipërinë", duke bërë të qartë gjithashtu se ky është një hap i parë për ta çuar politikën sa më afër problemeve dhe halleve të qytetarëve. Ai ka bërë të ditur se, produktet e këtij dialogu do të mund të duken vetëm kur PS të hartojë programin e saj politik dhe qeverisës, i cili pritet të përfundojë pikërisht në shtator. Ndërsa në lidhje me reformën zgjedhore, numri një i Asamblesë Socialiste ka theksuar se, partitë e vogla shpeshherë janë bërë shkak që ajo të dështojë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›