Përfitimet abuzive nga lejet e ndërtimit, i vetmi interes i Edvinit
Deputeti demokrat Edi Paloka denoncon skandalet e kryebashkiakut të Tiranës
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka, ka denoncuar dje gjatë një komunikimi për mediat se kryetari në detyrë i Partisë Socialistë Edi Rama të gjitha interesat e tij politike dhe jo vetëm politike, vazhdon t’i ketë të lidhura me lejet e ndërtimit dhe përfitimet prej tyre. “Jam sot këtu për të denoncuar një nga skandalet e paturpshme të Edvin Ramës i cili ditën publikisht pregatit dhe shpërndan letra për gjoja pushte që do të lejonin PS të hynte në Parlament ndërsa natën mesazherët i dërgon që të interesohen për lejet e ndërtimit në KRTRRSH. Kjo tregon edhe një herë se Kryetari në detyrë i PS të gjitha interesat e tij politike e jo politike vazhdon t’i këtë të lidhura vetëm me lejet e ndërtimit dhe përfitimet abuzive nga këto leje”, u shpreh Paloka.
Sipas tij, ekziston një etikë në marrëdhëniet midis politikanëve shqiptarë që mesazhet jo zyrtare të mos bëhen publike, por kur këto mesazhe arrijnë në një nivel të tillë paturpësie sigurisht që ne nuk mund të heshtim. “Që nga moment i bllokimit të KRRT të Tiranës për Edvin Ramën ky zotëri është detyruar të lëvizë të gjithë gurët, për të arritur marrëveshje jo për interesat e shqiptarëve dhe të elektoratit të tij, por vetëm për interesat e tij personale”, nënvizoi Paloka.
Kryebashkiaku Edi Rama është akuzuar disa herë për përfitime abuzive me lejet e ndërtimit dhe taksat anormale që u imponon qytetarëve të kryeqytetit.
Ai së bashku me ndërtues të tjerë, një pjesë e të cilëve janë edhe anëtarë të KRRT-së, së Tiranës, kanë ndarë në mënyrë antiligjore parcelat e veprimit përfitues abuziv me lejet e ndërtimit në mbarë kryeqytetin.
Për këtë, është iniciuar dhe një hetim parlamentar që pritet të zbardhë të gjitha detajet e këtij abuzimi të madh, ndërkohë që dosja me abuzime ndodhet në organin e akuzës.