Fier, pushohen nga puna rreth 80 mësues me kontratë
Pushohen nga puna rreth 80 mësues me kontratë të punësuar në arsimin e rrethit Fier kryesisht nga shkollat 9 vjeçare. Vendimi për pushimin e tyre nga puna ka ardhur nga Drejtoria Rajonale Arsimore Fier për shkak se të gjithë këta mësues janë punësuar në profilin 9 vjeçar, jo në profilin e tyre si dhe numri i mësuesve bie ndesh me numrin e nxënësve në klasa. Sipas drejtores së Arsimit Rajonal në Fier, Suzana Numani, largimi i këtij kontigjenti nga puna është
konform kontratës së nënshkruar më parë , e cila daton prej shtatorit të vitit të kaluar deri në fund të dhjetorit 2010. Mësuesit e larguar nga puna ishin punësuar kryesisht në shkollat 9 vjeçare të zonave rurale në rrethin Fier. Nga Ministria e arsimit ka ardhur një shkresë për rishikim të kontratave për mësuesit që kanë qenë mësues me kontratë. Ata kanë punuar me kontratë nga periudha shtator-deri në 31 dhjetor. Kontrata normalisht ka përfunduar dhe ata qysh në datën 2 shkurt kanë ndërprerë punën. Numri i mësuesve me kontratë është 80. Ata do të konsiderohen mësues në pritje dhe do të jenë të parët që në rast nevoje për ta, do të thirren për të punuar duke qenë zëvendësues të mësuesve të cilët do të lënë përkohësisht punën. Kontrata e tyre ishte kolektive dhe e përkohshme dhe deri në momentin mbarimit të saj, me gjithë respektin kanë qenë të detyruar të lënë vendin e punës. Kjo edhe për shkak se numri i nxënësve nëpër klasa është shumë i ulët, dhe klasat janë bashkuar, pohoi Numani. Përsa i përket punësimit në sistemin arsimor, ai po bëhet edhe më i vështirë për vetë faktin se numri i mësuesve punëkërkues ka arritur deri në 800 në rrethin Fier.O. Filka