E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet, pa rregullore. Rrokaj: “Statuti po mbahet peng qëllimisht”



Dekanët e tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës kërkojnë nga Ministria e Arsimit që të miratohet sa më shpejt statuti i universitetit, pasi nga mungesa e tij po mbahet “peng” hartimi i rregulloreve. Shqetësimi për këtë problem ngrihet nga dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj. Sipas ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), statuti po mbahet peng qëllimisht, pasi kjo nuk është përplasja e parë dhe as e fundit që Ministria e Arsimit ka pasur me universitetet. “Statuti është një aktnormativ për hartimin e të cilit të drejtën ekskluzive e ka Senati i Universitetit të Tiranës. Kthimi i statutit qëllimisht dy muaj fiks pasi ai është dërguar për t’u miratuar, mua më duket se është një dorë e qëllimshme”, - shprehet Shezai Rrokaj. Universiteti i Tiranës është ende pa statusin e ri në bazë të ligjit “Për arsimin e lartë”. Një nga pikat e kontestueshme pse drejtuesit e senatit vendosën që ta kthejnë mbrapsht atë për në Ministrinë e Arsimit, ka qenë ajo e ngarkesës mësimore të pedagogëve. Sipas Rrokajt, me këtë ngarkesë aktuale, ku një pedagogu i duhet të punojë rreth tetë orë në auditor, është shkelur autonomia dhe ligji i arsimit të lartë. “Kushtet janë të tilla që nuk mund të qëndrojnë profesorët tetë orë në punë, sepse ata janë krijuesit. Është bërë një gafë e madhe që cenon drejtpërsëdrejti autonominë”, - sqaron Rrokaj. Sipas tij, ligji “Për arsimin e lartë” parashikon gjashtë orë në auditor për pedagogët.

3 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›