E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rillogaritja, përfitimi suplementar për 8500 ushtarakët në pension

Llogaritja do të bëhet vetëm për ushtarakët që kanë dalë në pension para vitit 1991. Masa e pensionit suplementar të pleqërisë do të bazohet në pagën referuese

Jonida Tashi

Rreth 8500 ushtarakëve që kanë dalë në pension para vitit 1991 do t’u rillogaritet pensioni suplementar që përfitojnë. Kështu, sipas ligjit të sapomiratuar, për trajtimin financiar të kësaj kategorie, ushtaraku që ka ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 7496, datë 3.7.1991, “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, të ndryshuar, dhe e kanë përfituar pensionin sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të përfitojë pension suplementar. Kushtet e përfitimit dhe masa e pensionit suplementar janë sipas këtij ligji dhe të njëjta me ato të përcaktuara edhe për ushtarakët që e kanë ndërprerë karrierën pas kësaj date. Ndërsa kategoritë e përfituesve dhe mënyra e llogaritjes së pagës referuese do të caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Masa
Masa e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë për të gjithë ish-ushtarakët që kanë dalë në pension para vitit 1991 do të jetë sa gjysma e pensionit mujor të pleqërisë që ata marrin. Sipas ligjit të ri, pensioni suplementar i pleqërisë do të llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë që përfituesi gëzon në çastin e lindjes të së drejtës për pension suplementar. Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë, me burgim, për krime të kryera me dashje. Të gjitha përfitimet që jepen nga ky ligj, përfshirë edhe pensionin suplementar të pleqërisë, llogariten në bazë të pagës referuese. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë a funksion në datën e lindjes të së drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për studentët e shkollave të larta që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës a funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës a funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it, të nivelit përkatës. Kur funksioni ose grada që kishte përfituesi, nuk ekziston më: ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm (drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, komandanti i Gardës), ministri i Drejtësisë dhe drejtori i SHISH-it, me urdhër bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
Rillogaritja
Pavarësisht miratimit të ligjit të ri për pensionet, dispozitat e Ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, do të zbatohen deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me Ligjin nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Ligjin nr.8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësish nga mosha e vjetërsia në punë në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja do të bëhet sipas rregullave të përcaktuara në ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar do të zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes të së drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar. Pensionet për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kriteret e Nenit 11, të Ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor 1.1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij 1igji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji.

Vjetërsia e shërbimit sipas projektligjit

Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në Ligjin nr. 9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, Ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, Ligjit nr. 8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Ligjit nr. 9357, datë 17.3.2005, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, Ligjit nr. l032 datë 11.12.2008, “Për Policinë e Burgjeve”, Ligjit nr. 8766, datë 5.4.2001, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, Ligjit nr. l002, datë 6.10.2008, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.
Për efekt të zbatimit të ligjit, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe: koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një urdhri a vendimi të padrejtë të deklaruar me vendim gjykate; koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1.5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1.5-fishin.

E drejta e përfitimeve
Personit, i cili kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes të së drejtës. Në raste të tjera përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.
Përfitimet e njohura, por të patërhequra nga personi, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.
Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo për më shumë se për një vit.
Personi që ka përfituar pension ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore suplementare, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, e cila do t’i mbahet çdo muaj, në masën 50 për qind të këstit mujor të përfitimit, si dhe dënohet me gjobë, në masën katërfish të shumës së përfituar në kundërshtim me ligjin, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.
Për rastet kur përfitimi është llogaritur gabim, masa e ndalesës është 20 për qind e këstit mujor.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›