E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialja e China Daily Shqiperia e hapur per biznes

Shqipëria e hapur për biznes. Kështu titullohet një speciale dedikuar Shqipërisë nga e përditshmja kineze “China Daily”. Investimet e zhvilluara në Shqipëri e kanë transformuar vendin e pasur me burime, në një qendër energjitike në Ballkan, thuhet në artikull. Me burimet e pasura ujore, thuhet më tej, Shqipërisë i është dhënë pseudonimi i “Norvegjisë së vogël” të Ballkanit. Duke vlerësuar arritjet e vendit tonë, gazeta shkruan se “pas një rritje të fortë ekonomike në vitet e fundit dhe bumit të ndërtimeve dhe shërbimeve, Shqipëria këtë vit feston 100 vjetorin e saj si një vend i pavarur me motivim të madh për të përmbushur potencialet e saj të jashtëzakonshme”. Më tej “China Daily”, rendit në shifra rezultatet ekonomike, ku thekson se investimet e huaja direkte janë trefishuar gjatë periudhës 2006-2010. Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Sali Berisha, citohet në shkrim, ka punuar fort për të mbajtur një ambjent konkurrues të investimeve, ka ulur taksat nga 25% në 10% si dhe taksën mbi të ardhurat personale nga 23 në 10%.
Dikur një nga vendet me teknologjinë e komunikimit më të ulët të informacionit, ku norma e depërtimit në botë ishte në vetëm 4,8 për qind në vitin 2006, Shqipëria e ka rritur këtë në 50 për qind në vitin 2011, dhe ajo vijon të jetë një nga përparësitë më të mëdha të qeverisë, komenton shkrimi i gazetes aziatike.
Në specialen e saj, “China Daily”, citon fjalën e kryeministrit, Sali Berisha, i cili e konsideron Kinën si një nga partneret më të rëndësishme tregtare të Shqipërisë me një bashkëpunim të thellë ekonomik dhe tregtar. Gjithashtu artikulli i ka kushtuar një vëmendje të madhe intervistës me kreun e qeverisë, duke cituar raportimet e fundit mbi zhvillimet e suksesshme ekonomike të vendit si dhe premtimet për vitin 2012. Thithja e investitorëve të huaj në Shqipëri dhe mbrojtja e tyre, citohet të ketë thënë kryeministri, sektori energjitik, ai minerar, infrastruktura, telekomunikacioni, procesi i privatizimeve dhe rritja e të ardhurave janë prioritetet e qeverisë “Berisha”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›