“Spiegel”, 1976: Shqipëria kërkon t’i shpëtojë izolimit me një turizëm hibrid

Pas 30 vjeteve izolim te veteshpallur, ku Enver Hoxha ua mohoi shtetasve te vet qasjen ndaj Islamit, Krishterimit, analfabetizmit dhe turpit per pune, edhe Shqiperia tashme duhet me se fundmi te perfitoje diçka nga turizmi. Kjo e bere me ndergjegje dhe me synim te paracaktuar: pasi udhetimet me vetura personale akoma jane nje utopi
Turizmi është një mënyrë e mirë për të përfituar para, por edhe për të përmirësuar imazhin. Këtë duket se e kishin kuptuar sipas mënyrës së tyre shqiptarët në krye të kupolës udhëheqëse në vitet ‘70. Kjo, pasi përtej asaj çka dimë të gjithë e na dëshmon vetë historia jonë, na paraqitet në mënyrë më të qartë edhe në një reportazh të botuar në faqet e revistës gjermane “Der Spiegel” në vitin 1976. Grupe turistësh, në fakt, kishin depërtuar edhe më parë në vendin tonë, por duket se tashmë një orientim nga lart po bënte që t’i afronte disi më shumë ata, praktikisht turistët perëndimorë e veçanërisht qytetarët e RFGJ-së.
Mirëpo ajo çfarë ata shihnin vetë me sytë e tyre, rrëfente edhe më me realizëm atë çka ata ndoshta e dinin me kohë për atë çka ndodhte në vendin e vetëm stalinist në Evropë.
Pavarësisht synimeve thjesht turistike, duket se kurioziteti i shtynte ata të bëheshin reporterë të mirëfilltë me zell profesional, ndërsa tentonin të shihnin përtej asaj çka i ofronte “Albturist” dhe shoqëruesit e komanduar shtetërorë. Ironia haset në artikull, ashtu sikurse edhe konstatimet për nivelin evident të mjerimit në një vend që pretendonte se “mbronte arritjet”.
Urdhrat për të regjistruar ne celuloid e në kujtesën e tyre vetëm atë çka ishte e bukur, për të mos dhënë bakshishe, çamçakiza për fëmijët apo për të mos harruar çokollatat nëpër dhomat e hoteleve, përzihen me detyrimin për të qethur flokët, rruar mjekrën apo ndërruar veshjet e tyre në aeroport, me qëllim që populli shqiptar të mos merrte as edhe një dozë nga “degjenerimi kapitalist”. Ky lloj turizmi e shihte si tabu ardhjen me veturë personale dhe ngado që shkoje, duhej të ishe i mbikëqyrur, çka e bënte atë vërtet të cilësohej si një turizëm hibrid.
Interesante është se rreth 11 vjet më vonë, tashmë në një realitet disi të ndryshëm, paçka se në shumë pika të njëjtë, revista tjetër gjermane “Stern”, në vitin 1987, pas rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe RFGJ-së, na dëshmon se të paktën qethja e flokëve dhe rruajtja e mjekrës tashmë ishin vetëm një kujtim, i destinuar të mbetej një relikte.
Gjithsesi, në vitin 1976, turistët gjermanë të zbritur për herë të parë në Tiranë nga bordi i një charteri gjermanoperëndimor, rrëfejnë peripecitë dhe ndjesitë e tyre për vendin e skipëtarëve ashtu siç i panë, duke na dhënë shpesh doza ironie të shëndetshme.
* * *
Në ditën e tretë, në Pogradec në liqenin e Ohrit, Dani u nxeh paksa. "Ju duhet të fotografoni atë çka është e bukur në Shqipëri, jo atë çka është e shëmtuar", - dukej sikur urdhëronte me tone të larta inxhinieri i ri i naftës, i cili ishte komanduar të bënte punën e shoqëruesit nga agjencia shtetërore e turizmit, "Albturist" nëpërmjet mikrofonit të autobusit. Më pas, ai u bëri thirrje "miqve të dashur gjermanë" edhe një herë për rregull: që ata të mos të jepnin gjithnjë bakshishe, të linin çokollata në dhomat e hoteleve ku qëndronin, siç bëri një xhaxha para kombinatit të trikotazhit në Korçë. Të shpërndajnë çamçakiza për fëmijët - kjo e gjitha është një ofendim për popullin e skipëtarëve (që do të thotë i bijve të shqipeve në gjermanisht) dhe kësisoj e ndaluar rreptësisht.
Të tilla ankesa do të dëgjonin 34 perëndimorët të pajisur me fotokamera, ndër ta edhe një përzgjedhje prej pensionistësh shumë të dhënë ndaj udhëtimeve. Por gjithsesi me kujdesin që të fshihnin traditat dhe zakonet e tyre, të cilat në perandorinë e fundit staliniste ishin të panjohura. Këtë ata e kishin mësuar shpesh, qëkurse nga mesi i korrikut zbritën me charterin e parë nga Republika Federale.
Dhe kjo nisi menjëherë sapo u ulën në aeroportin e Tiranës, kur dhjetëra udhëtarëve iu rrua menjëherë mjekra dhe iu qethën flokët e gjatë, ndërsa një palë turisteve femra iu ndërruan fundet e shkurtra dhe pantallonat e gjata alla-perëndimore që mbanin veshur, me veshje të prodhuara në vend, para se ata të kalonin doganën.
Kjo, pasi udhëheqësit shqiptarë i shohin me ndjenja të përziera të huajt nga Perëndimi, të cilëve duhet t’u marrin sigurisht devizën, por në asnjë rast të lejojnë të depërtojë degjenerimi kapitalist në popullin e varfër 2,2 milionësh të "njeriut të ri të brumosur me moralin socialist". Dhe më mirë ata e shohin këtë ndërsa ndjekin mysafirët e tyre të pasur në geton turistike të Durrësit përgjatë 14 ditëve në plazhin me rërë fine të Adriatikut, ku ndonjëri madje u rrëshqet rregullave.
Por pas 30 vjetëve izolim të vetëshpallur, ku Enver Hoxha ua mohoi shtetasve të vet qasjen ndaj Islamit, Krishtërimit, analfabetizmit dhe turpit për punë, edhe Shqipëria tashmë duhet më së fundmi të përfitojë diçka nga turizmi. Kjo, e bërë me ndërgjegje dhe një me synim të paracaktuar: pasi udhëtimet me vetura personale akoma janë një utopi. Maksimumi i asaj çka mund të ofrohet për të pasionuarit që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë shumë piktoreske, mbetet një udhëtim tetëditor me autobus, siç e ofron, për shembull, agjencia gjermane e udhëtimeve (DER) për 788 marka.
Sidoqoftë, me lirinë personale të lëvizjes, edhe me këtë mënyrë që të çon në vendin e pankartave dhe parullave (të cilat madje shfaqen nga brendësia e maleve dhe kodrave duke glorifikuar "Marksizëm-Leninizmin" dhe shokun Enver) sërish nuk është se mund të bësh shumë përpara.
Qoftë gjatë vizitave në qytetet historike të Beratit apo të Gjirokastrës apo edhe gjatë vizitave në rrënojat antike greko-romake në Butrint e Apoloni, "Albturist" i mban engjëjt e vet gjithnjë të mbledhur në mënyrë kolektive ose përpiqet të paktën që netëve, t’i zbresë nga autobusi, t’i dërgojë drejt të ngrënës që të lë një shije se i mungon fantazia në gatim e pastaj direkt t’i bëjë gati për gjumë, drejt dhomave të “Albturistit” (të cilave shpesh u mungon pajisja e plotë e dusheve dhe hapur flitet se ajo madje përkuaka me imazhin ideal të projektuar nga specialistët shqiptarë të turizmit).
Por të realizueshme, sidoqoftë, edhe në terma afatgjatë ato nuk duket se janë. Njerëzit e Danit gjithsesi u treguan kokëmushkë dhe rrëmuan duke ndërmarrë ecejake të vetmuara dhe të pakujdesur, për të gjetur fytyra të hutuara shqiptarësh, për të hasur në ndonjë cep ndonjë grup fëmijësh të shkujdesur që kishin dëshirë të flisnin për Beckenbauerin apo për Netzerin, derisa ndonjë çiklist që kalonte nxitimthi, donte të gjuante diçka nga ajo mesele duke ua prishur “debatin”.
Dhe madje qysh në agimin ngjyrë gri, kur tek "Albturist" tashmë akoma çdo gjë flinte, ata ia behën të bënin një “foto-safari”. Tek e fundit, ata nuk donin të regjistronin në celuloid vetëm monumente të atij që mundi turqit dhe që është hero kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeun, jo vetëm pllakatet për Enver Hoxhën dhe bustet e Stalinit, por edhe objekte të cilave ata duhej t’u qëndronin larg me këmbëngulje: rrugica të pamirëmbajtura, xhami të rrënuara, një grua të moshuar mbi një gomar.
Këto fotografë të zënë me punë - mërmëriste shoqëruesi në pamje shumë intelektual i Danit, Maksi, anglishtja e të cilit ishte shumë e shkëlqyer dhe funksioni i tij i paqartë - janë të gjithë “maniakë", të çmendur. Edhe ai shpesh mendonte nëse në këtë tufë kureshtarësh mund të fshihej edhe ndonjë nga ata pjesëtarët e grupimeve profesioniste si gazetarët, të cilit udhëtimi në atë vend ku u ishte ndaluar.
Kështu, avangarda turistike e Danit vazhdoi udhëtimin përpara mbuluar nga një rè mosbesimi miqësor, përgjatë gjithë vijës që shtrihet si gjarpër prej 1200 kilometrash nëpër honet e malet e Ballkanit. Dhe zotëria i moshuar nga Mozeli (krahinë në Gjermani: shën. imi), i cili kishte luftuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, dinte të vlerësonte më mirë se çdo udhërrëfyes tjetër vendas, mbi arritjet në vendin që po lulëzonte nga zhvillimi, por që nga ana tjetër, ishte akoma në mjerim.
Pasi ai e mbante mirë mend atë, Orientin plot ngjyra përrallore, të cilin bashkudhëtarët e tij e dëshironin kaq shumë - lypësit dhe qentë e rrugëve të shpërndarë ngado, gratë e mbuluara deri poshtë dhe fëmijët këmbë e trupzbathur, të gjithë plogështinë ballkanike. "Çfarë ka bërë Hoxha nga kjo shkretëtirë, - propagandonte ai, - kjo thjesht nuk mund të imagjinohet".
Por ai pret që si ai, udhëtar të tjerë “single” të vijnë në perandorinë e mrekullueshme të shqiponjave dhe të korrin frutat e socializmit disi më nga afër. Por ai duhet të presë edhe ca derisa të vijë ky moment.
Marrë nga “Der Spiegel”, 30.6.1975
“Stern”, 1987: Tashmë nuk të qeth më njeri në kufi
Një grup gazetarësh, bëhen dëshmitarë të një atmosfere sa shpresëdhënëse, aq dhe të dhimbshme për popullin shqiptar në vitet e fundit të ekzistencës së monizmit. Të ardhur si turistë e të mbartur në autobusët “luksozë” (për metrin e shqiptarëve të kohës) pajisur me kondicionerë, ata shohin një realitet të hidhur, megjithëse mundohen të jenë sa më shumë objektivë e të pasqyrojnë ato që ata vërtet kanë parë, duke na dhënë edhe plot anë pozitive të asaj që tashmë në mbarë botën njihet si “mikpritja e bujaria shqiptare”. Ndërsa prishja me Bashkimin Sovjetik e Kinën ishin lënë me kohë prapa, vendosja e saporealizuar e marrëdhënieve (gjithsesi me shumë vonesë) diplomatike me RFGJ-në e ndoshta lëvizjet më të fundit të regjimit “Alia”, bëjnë që vetë gjermanët të shohin e vlerësojnë disi me optimizëm e me sy pozitiv edhe ato pak “arritje” që mund të ishin realizuar deri më atëherë nga shqiptarët. Duke e krahasuar me artikullin e shkruar po nga gjermanët në “Der Spiegel”, në vitin 1976, e duke u kthyer kështu mbrapsht në kohë, vërejmë se të paktën qethja e detyrueshme e flokëve apo ndërrimi i rrobave për t’iu përshtatur normave të “moralit komunist” në pikat e kalimit kufitar, tashmë kishte marrë fund, si një praktikë skandaloze. Dy pasazhe të shkëputura nga artikulli i revistës “Stern”, në vitin 1987 (që unë i kam sjellë dikur në shqip për lexuesit në kuadër të ciklit “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990!” në gazetën “Shqip”, 19 janar 2007), na e japin më mirë këtë atmosferë, sa qesharake aq edhe reflektuese: A e vëmë me bast që në kufi juve do t’ju duhet të qethni flokët? Tregtari në pension nga Gëtingeni, i cili qëndron me ne dhe me nja dhjetë të tjerë në të njëjtin autobus, duket i gëzuar. “Zotërinjtë…!!!”, - citon ai rregullat që duhet të ndiqen gjatë udhëtimit në manualin që ka në duar, duke më treguar barsetat e mia që thuajse kanë marrë formë të valëzuar, “duhet që prerja e flokëve të lejojë dukshëm shikimin lirshëm të fytyrës pa mbuluar veshët”. Tre centimetra lejohen. Kush thyen rregullat, qethet nga një berber që paguhet nga shteti për këtë punë në kufi. Dhe të parat do ta pësojnë pantallonat e mia të golfit. Me to unë sigurisht nuk do të lejohesha të kaloja kufirin, ku veshja në modë duhet shmangur... Më pas, një nëpunës që fliste gjermanisht, na uron mirëseardhjen gjithë mirësi. Për sa u përket flokëve e pantallonave të mia të gjata, ai duket se nuk ua var shumë. Tregtari nga Gëtingeni më sheh i zhgënjyer e disi i hutuar. Ama berber ka pasur përpara?!